Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, e ka kujtuar sulmin terrorist në Banjskë në njëvjetorin e kësaj ngjarjeje. Ai e ka përsëritur thirrjen e BE-së për ndjekje penale të personave përgjegjës për këtë sulm, dhe është e përkushtuar për drejtësi.
“Kosova: Një vit pas sulmit në Banjskë Bashkimi Evropian përsërit thirrjen për ndjekjen penale të përgjegjësve dhe e riafirmon përkushtimin e saj për drejtësi dhe llogaridhënie”, ka shkruar Stano në X.
Ai ka shpërndarë reagimin e shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ku ka dënuar sulmin në Banjskë.
Shkrimi i Plotë:
Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjska/Banjskë në veri të Kosovës, i cili la të vdekur një polic dhe dy të plagosur. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë. Më shumë jetë të pafajshme janë në rrezik në armiqësitë e vazhdueshme në rrethinat e Manastirit të Banjskës. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë. EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, është në terren dhe në kontakt të ngushtë me autoritetet dhe KFOR-in. BE-ja dhe shtetet e saj anëtare vazhdimisht u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve që të punojnë për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës.