Qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian po shqyrtojnë mundësinë që ish-Presidenti i Bankës Qendrore Europiane Mario Draghi, ose ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, të përfaqësojnë BE-në në negociatat e mundshme me Presidentin rus Vladimir Putin për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, raportoi sot gazeta britanike Financial Times.
Administrata amerikane, aktualisht e preokupuar me luftën e saj në Lindjen e Mesme, i ka informuar homologët e saj evropianë se nuk është kundër bisedës së Evropës me Putinin, krahas bisedimeve të paqes të udhëhequra nga SHBA-të, i thanë gazetës britanike burime të informuara mirë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të dielën se Moska mund të vazhdojë dialogun me Evropën, por kritikoi Kaja Kallas, përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, duke thënë se ajo nuk do të ishte e përshtatshme për negociata të ardhshme me Moskën.
“Nuk do të ishte në interesin e Kaja Kallas të luante rolin e negociatores. Nuk do të ishte e lehtë për të. Nëse e mbani mend, Putin tha se mund të ishte kushdo që nuk thotë shumë gjëra të këqija” për Rusinë, tha Peskov.
Kujtojmë se një javë më parë nga Rusia u propozua një tjetër ish-kancelar gjerman, Gerhard Shrëder, si negociator për BE-në, por ky i fundit, i parë me skepticizëm si njeri që ka punuar ngushtësisht me Putinin në vitet e tij post-kancelar, u hodh menjëherë poshtë nga Bashkimi Europian si negociator. ©Lapsi.al