BE-ja nis sistemin e ri elektronik të kontrollit në kufi EES për shtetasit jashtë këtij komuniteti. Të gjithë ata që udhëtojnë për në BE duhet të regjistrohen në mënyrë elektronike. Vulat në pasaporta së shpejti hiqen.
Sipas të dhënave të Komisionit Europian rregullorja e re që hyri në fuqi këtë të dielë (12.10.2025) synon regjistrimin e detajuar digjital të hyrje-daljeve në kufi për të gjithë shtetasit jashtë BE-së. Në sistemin e automatizuar udhëtarët duhet të skanojnë pasaportën në kufi, ku gjithashtu në sistem do të regjistrohen edhe gjurmët e gishtërinjve si dhe një fotografi e udhëtarit.
Për shtetasit gjermanë dhe shtetas të vendeve të tjera anëtare në BE nuk do të ndryshojë asgjë nga procedurat që aplikohen aktualisht.
Regjistrimi digjital i të dhënave personale
Me hyrjen për here të parë në hapësirën Shengen shtetasit nga vende jo anëtare të BE-së duhet të regjistrojnë të dhënat personale. Në hapësirën Shengen me përjashtim të Irlandës dhe Qipros bëjnë pjesë të gjitha vendet anëtare të BE-së si dhe Islandës, Norvegjisë, Zvicrës dhe Lihtenshtajnit.
Në udhëtimet e mëtejshme do të kërkohet vetëm njohja biometrike e fytyrës. Sistemi do të zëvendësojë vulën në pasaportë me aplikimin elektronik. Për ta përshpejtuar procesin në kufi, disa të dhëna mund të jepen paraprakisht përmes aplikacionit ose në terminalet me vetëshërbim të pasagjerit.

Për pasagjerët drejt Britanisë së Madhe, që përdorin portin e Doverit, ose terminalin e Eurotunelit në Folkstone ose në stacionin e trenit Eurostar në St Pancras në Londër, regjistrimi bëhet përpara largimit nga Britania e Madhe. Përjashtime ka për njerëzit, që posedojnë një kartë me lejen e qendrimit dhe janë të lidhur drejtpërdrejt me një shtetas të BE-së.
Të luftohen mashtrimet dhe migracioni ilegal
BE përmes këtij sistemi të ri synon të krijojë më shumë siguri dhe të parandalojë qarkullimin e kriminelëve. “Sistemi i hyrje-daljeve në kufi është shtylla digjitale bazë e kuadrit tonë të ri të përbashkët europian për migracionin dhe azilin”, deklaroi komisari i BE-së për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner.
EES do të ndihmojë, që të verifikohen personat, të cilët shkelin afatet e lejuara të qendrimit. Gjithashtu synohet të luftohen mashtrimet me identete të reme dhe të kufizohet migracioni ilegal. Në gjashtë muajt e adhshëm sistemi do të vihet gradualisht në funksionim në të 29 shtetetet e hapësirës Shengen. Krahas 25 vendeve nga BE janë pjesë e Shengenit edhe Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra. Nga 10 prilli 2026 ky sistem do të duhet të funksionojë në të gjitha pikëkalimet kufitare në kufijtë e jashtëm europianë. Nga kjo datë edhe vula në pasaportë do të hiqet përfundimisht.
Në Gjermani pas aerportit të Dyseldorfit pasojnë me këtë sistem edhe aeroportet Frankfurt mbi Main dhe Mynih, sikurse vuri në dukje Ministria e Brendshme. Të gjithë aerportet e portet e tjera do të përfshihen gradualisht në këtë sistem. Edhe udhëtarët me tren mund të preken, si p.sh. ata që kalojnë kufirin përmes trenit Eurostar nga Londra në Paris, Brukselose Amsterdam drejt Gjermanisë.
Sistemi EES është hapi i parë i një sistemi kufitar që synon të vendosë BE-ja. Në tremujorin e parë të vitit 2026, sipas BE-së, do të aplikohet edhe një tarifë shtesë për lejen e udhëtimit për të huajt jashtë komunitetit, të cilëve nuk u nevojitet vizë. Kjo prek shtetas nga rreth 50 vende – si shtetasit nga vende europiane p.sh. Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Serbia, por edhe nga SHBA, Kanada, Mbretëria e Bashkuar, Brazili, Emiratet e Bashkuara Arabe, Izraeli dhe Koreja e Jugut.
Shtetasit nga këto vende do të duhet të aplikojnë në të ashtuquajturin sistem ETIAS. Autoritetet përmes këtij sisitemi në rast të rezervave për sigurinë ndaj aplikantit edhe mund ta refuzojnë lejen e udhëtimit. Sisteme të ngjashme ekzistojnë ndërkohë në Britaninë e Madhe dhe në SHBA. /DW