Bayern mund Chelsea, Carragher shpërthen: “Me 2 miliardë fituan trofeun Mickey Mouse”

I ashpër në duelet në fushë, i ashpër edhe në kritika, Jamie Carragher nuk duket se ka ndryshuar nga koha e Liverpool. Pas humbjes së Chelsea 3-1 kundër Bayern Munchen, mbrojtësi anglez nuk u kursye. Gjatë post-ndeshjes në programin sportiv amerikan CBS Sport, ish-lojtari analizoi në detaje të gjitha aspektet e botës blu, duke u përqendruar sidomos te shpenzimet marramendëse në merkato dhe paraqitjet zhgënjyese të viteve të fundit. Për anglezin, Botërori i Klubeve nuk ka asnjë vlerë dhe nuk është gjë tjetër veçse “trofeu i Mickey Mouse”, që nuk mjafton për të justifikuar miliardat e shpenzuara.

Për të balancuar debatin ndërhyri Micah Richards, duke ndezur kështu një diskutim që u bë menjëherë viral në rrjete sociale. Ish-lojtari i City dhe Fiorentina u përpoq të mbronte zgjedhjet e klubit, por këndvështrimi i tij nuk e bindi kolegun. Sipas Carragher, paraqitja ndaj Bayern dhe humbja pasuese janë sinjal i një tjetër sezoni nën nivel për “blutë”.

Botërori i Klubeve bëhet trofeu i “Mickey Mouse” sipas Carragher
Për ish-lojtarin e Liverpool, dy sukseset e vitit të kaluar nuk tregojnë një progres të vërtetë të skuadrës, edhe sepse sipas tij ai i fituar në Amerikë, në prani të Trump, nuk ka asnjë vlerë reale. Madje është si të kishin fituar “trofeun e Mickey Mouse”, duke iu referuar karakterit pak konkurrues të kompeticionit: i luajtur në verë me temperatura të larta dhe me lodhjen e sezonit që sapo kishte përfunduar mbi lojtarët.

Për të, Chelsea nuk është më skuadra e dikurshme, e mësuar të fitonte dhe të dominonte në Premier e në Europë. Gjithçka rëndohet edhe nga fatura e majme e merkatos prej tre vjetësh e gjysmë: dy miliardë të shpenzuara “pa marrë një përmirësim të dukshëm”. Skuadra, sipas tij, duket më e fokusuar në marrjen e lojtarëve të rinj sesa në fitimin e trofeve. Një fazë rënieje që Richards u përpoq ta shpjegonte, duke treguar se është normale që ekipet kanë cikle të alternuara: ka momente kur fiton dhe të tjera kur vuan, siç po ndodh edhe me të tjerë në Premier, United para së gjithash. Por për Carragher, e shkuara e lavdishme e Chelseat si “makinë fituese trofesh” nuk duhet ta lejonte as ekzistencën e këtij rënieje.

Carragher kundër zgjedhjeve të bëra nga Chelsea
Nuk është vetëm merkatoja që ngre dyshime te opinionisti: situata e klubit që prej ardhjes së Boehly, pronarit aktual, nuk e bind anglezin: “Kur hyri shoqëria e re, në stol ishte Thomas Tuchel, sapo kishin fituar Champions League. Edhe pse nuk ishin më të fortët në Premier, ishin sidoqoftë në vend të tretë pas City dhe Liverpool”. Për të, pikërisht nga ai moment nisi rënia dhe Chelsea kaloi nga të qenët pranë fitimit të titullit, me një Champions të sapo marrë, në një skuadër për vendet e mesme të tabelës.

Pavarësisht nivelit të skuadrës, drejtuesit e rinj vendosën të përmbysnin gjithçka duke ndërruar trajnerin dhe duke shpenzuar dy miliardë në merkato, një revolucion që sipas Carragher nuk solli asgjë, e sidomos nuk ishte i nevojshëm duke parë se çfarë kishin arritur pak më parë. Një ndryshim që, në vend që ta çonte klubin përpara, e ka larguar: “Janë më mbrapa se tre vjet e gjysmë më parë krahasuar me top skuadrat e tjera të Premier, janë më mbrapa pavarësisht parave të shpenzuara”. Richards u përpoq ta shpëtonte (pa sukses) Chelsean nga “grinfat” e kolegut: “Por progres ka pasur, vitin e parë dolën në vendin e 12-të, më pas të gjashtët, të katërtët dhe vitin e kaluar fituan Botërorin e Klubeve”. Debati televiziv përfundoi ashtu siç nisi: me të dy që mbetën të palëkundur në idetë e tyre.

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top