Evropa po i mbyll ngadalë portat për pakot e lira kineze. Komisioni Evropian ka propozuar vendosjen e një tarife doganore të re, një “tarifë trajtimi”, siç e quan zyrtarisht, për çdo pako të vogël të porositur nga platforma gjigande e tregtisë online si Shein, Temu dhe Alibaba. Dhe kjo masë nuk do të vijë në 2028, siç ishte planifikuar fillimisht, por dy vite më herët, me synimin për të frenuar përmbytjen e tregut europian nga mallrat me çmime të ulëta që vijnë nga Kina.
Vendimi u nxit pasi “Financial Times” publikoi një letër të komisionerit të tregtisë, Maroš Šefčovič, drejtuar ministrave të financave të BE-së, ku paralajmërohej nevoja për ndërhyrje urgjente. Sot, ministrat e financave të BE27 ranë dakord të “përshpejtojnë sa më shumë të jetë e mundur gjatë vitit 2026” vendosjen e kësaj tarife doganore për pakot me vlerë të ulët.
Pragu i famshëm 150 euro bie. Vjen tarifa e re.
Sipas marrëveshjes, hiqet përfundimisht përjashtimi nga dogana për blerjet nën 150 euro, duke hapur rrugën për aplikimin e një tarife të re, të thjeshtuar dhe të përkohshme. Praktikisht, çdo pako që hyn në hapësirën europiane do të taksohet, një ndryshim historik në lëvizjen e pakove nga tregtia dixhitale. Problemi që po përpiqet të zgjidhë BE-ja është madhor. Vetëm në vitin 2024, sipas Komisionit, në Union janë importuar 4.6 miliardë pako të vogla, ose rreth 12 milionë pako në ditë. Rreth 91% e tyre vijnë nga Kina, falë çmimeve të ulëta, deklarimeve të thjeshtuara dhe mungesës së taksave.
Situata është përkeqësuar pasi SHBA-ja hoqi pragun e saj “de minimis” për pakot nën 800 dollarë, çka ka shtyrë një fluks edhe më të madh të mallrave drejt tregut europian.
Plani: 2 euro për pako – 0.5 euro për depot
Fillimisht Komisioni mendonte një tarifë uniforme prej 2 eurosh për çdo pako, që do të paguhej drejtpërdrejt nga platformat online. Në prill, para Parlamentit Europian, Šefčovič deklaroi: “Po flasim për 2 euro për pako, të pagueshme nga platforma.”
Artikujt që shkojnë drejtpërdrejt në depot europiane do të tatohen vetëm me 0.5 euro për njësi. Një pjesë e të ardhurave do të përdoret për të mbuluar kostot gjithnjë e më të larta të kontrolleve doganore, ndërsa pjesa tjetër do të hyjë në buxhetin e BE-së.
Në mbrojtje të planit të tij, Šefčovič pati sqaruar: “Nuk do ta quaja taksë. Është thjesht… kompensim për koston dhe duhet të paguhet nga çdo platformë.”
Për konsumatorët europianë, ndryshimi nënkupton fundin e porosive “pa doganë” nga platformat aziatike. Për vetë BE-në, masa është reflektim i një realiteti të ri ekonomik: Kina nuk është më vetëm partner tregtar, por një sfidë e drejtpërdrejtë për industrinë dhe prodhimin europian.
Ndryshimi i rregullave pritet të jetë vetëm hapi i parë drejt një ristrukturimi të madh të tregtisë dixhitale globale.