Rreth 4,3 mln euro përllogariten humbjet për vitin 2023 të operatorëve ofrues të shërbimit të transportit urban në Tiranë, të cilat do të mbulohen nga Bashkia e Tiranës përmes skemave të subvencionimit të biletës dhe kompensimit të aboneve. Mbështetur te të dhënat financiare të vitit 2023, Bashkia e Tiranës përllogarit se totali i kostos vjetore për operimin e transportin urban është 1,8 mld lekë në vit. Ndërsa të ardhurat nga shitja e biletave, aboneve (aboneve të përgjithshme, të linjës dhe për studentët) llogariten në vlerën e 1,4 mld lekë në vit.
Mbi diferencën prej 428, 900, 342 lekë për vitin 2023, e dalë midis totalit të të ardhurave dhe totalit të kostos, Bashkia e Tiranës ka përllogaritur skemën për subvencionim të biletës dhe kompensimit të aboneve, me synim zerimin e humbjeve të operatorëve me qëllim rritjen e kushteve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit.
Llogaritjet janë publikuar në relacionin e projektvendimit “Mbi përcaktimin e tarifave të transportit publik qytetas në Bashkinë e Tiranës, mënyrën dhe rregullat që do të ndiqen për subvencionimin dhe kompensimin e tyre” dhe mbështeten në të dhënat për 176 autobusa të përfshirë në këtë shërbim, për një transport total prej 66,4 mln udhëtarë në vit apo prej 377,6 mijë udhëtarë në vit për autobus.
Me vendimin “Mbi përcaktimin e tarifave të transportit publik qytetas në bashkinë e Tiranës, mënyrën dhe rregullat që do të ndiqen për subvencionimin dhe kompensimin e tyre” të miratuar nga Këshilli Bashkiak përcaktohet se subvencionimi për operatorët e transportit urban do të jetë 10 lekë për biletat njëpërdorimshme.
Për aplikimin e skemës së subvencionimit të biletës njëpërdorimshme Bashkia e Tiranës synon gjithashtu vendosjen e rregullave të qarta të përfitimit nga ana e operatorëve. Nga skema e subvencionimit do të përfitojnë ata operatorë që kryejnë jo më pak se 90 % të kilometrave mujore të planifikuara në urdhrin e kryetarit të Bashkisë për kushtet e shërbimit të linjave qytetase.
Ndërsa në rastin kur operatori kryen më pak se 90% të kilometrave mujore të miratuara/planifikuara, nuk përfiton subvencionim të tarifës së biletës në transportin qytetas njëpërdorimshëm për një udhëtim, dhe për të zbatohen parashikimet e“Kreut V”, të këtij vendimi për sa i përket planifikimit të aboneve.
Po ashtu në ditët kur operatori kryhen më shumë se 100% të kilometrave ditore të planifikuara, kilometrat e realizuara mbi vlerën 100% të km të planifikuara, nuk shtohen tek kilometrat mujore të operuara nga linja. Vendimi përcakton edhe kompensimin 100% ndaj operatorëve për abonetë falas që shpërndan për studentët dhe për pensionistët që nis nga 1 janari 2025.
Për shpërndarjen e aboneve falas për studentët përgjatë periudhës nga muaji tetor deri në qershor, aktualisht Bashkia e Tiranës i kompenson operatorët në vlerën e 600 lekë për abone nga 1,600 lekë që është çmimi i saj.
Matjet dhe të dhënat e përdorura në përllogaritjen financiare i referohen vitit 2023
Nga përllogaritjet mbështetur në normativat e pranuara bashkë me marzhin e planifikuar mbi këto shpenzime që një kompani të jetë në gjendje të operojë në shërbimin e transportit publik qytetas sa më sipër rezulton se shuma e shpenzimeve në total për një autobus në përdorim në vit në transportin publik qytetës e vlerësuar për skemën e subvencionimit/kompensimit duke përshirë në të edhe normën e fitimit është: 10,588,889 (dhjetë milionë e pesëqind e tetëdhjetë e tetë mijë e tetëqind e tetëdhjetë e nëntë) lekë në vit.
Numri i mjeteve në punë/ditë i autobusave të përfshirë në operimin e shërbimit të transportit qytetës sot për Tiranën është mesatarisht 176 mjete. Duke iu referuar numrit të udhëtarëve në total për vitin 2023 për transportin publik qytetës për Tiranën është 66,489,316 udhëtarë në vit, nga ku si rrjedhojë rezulton se një autobus transporton rreth 377,601 udhëtarë në një vit.
Kosto mesatare për udhëtar është: shpenzimet për një autobus në përdorim në vit (:) numrin e udhëtarëve për autobus në një vit, nga ku rezulton se kosto mesatare për një udhëtar është: 10,588,889 (shpenzime autobus) (:) 377,601 (udhëtarë autobus) = 28.04 lekë / udhëtar
Harmonizimi i kostos me tarifën
Për të bërë harmonizimin e kostos me tarifën duhet që të rishikojmë çmimin e biletës njëpërdorimshëm dhe të rishikohet çmimi i biletave të pajtimit (abone) duke mundësuar harmonizimin, ndaj së pari përcaktojmë koston mbi bazën e treguesve:
Totali i kostos për shërbimin e transportit publik qytetës është i barabartë: Totali i udhëtarëve për vit (x) kosto për udhëtar = 66,489,316 (x) 28.04 = 1,864,526,870 lekë/vit.
Përcaktimi i të ardhurave
Të ardhura nga biletat një vajtje/ose kthim aktualisht janë 29,602,246 udhëtarë (x) 33.33 lekë/bileta = 986 741 529 lekë/vit. Të ardhura nga biletat e pajtimit mujor (abone të përgjithshme) janë 192,711 copë (x) 1 333.33 lekë/abone e përgjithshme = 256,948,000 lekë /vit
Të ardhura nga biletat e pajtimit mujor (abone të Linjës) janë 112,001 copë për vit (x) 1000 lekë/një abone linje = 112 001 000 lekë/vit. Të ardhura nga biletat e pajtimit mujor (abone të studentit) janë 159,872 copë x 500 lekë/një abone studenti = 79,936,000 lekë/vit
Shuma Totali të ardhurave = 1,435,626,529 lekë/vit. Sa më sipër midis totalit të të ardhurave dhe totalit të kostos në vit kemi një diferencë prej: (– 428 900 342 lekë/vit) dhe përballimi i kësaj kostoje do të bëhet duke indeksuar disa prej tarifave të shërbimit si më poshtë:
Nga biletat njëpërdorimshe (vajtje/ose kthim): Shuma nga biletat (=) 29,602,246 udhëtarë (x) 43.33 lekë/bileta (=) 1,282,665,313 lekë/vit. Nga bileta e pajtimit mujor (Abone e Përgjithshme studenti):
Shuma nga Abonetë e Përgjithshme Studentit= 159,872 copë (x) 1333.33 lekë/një abone studenti = 213,162,667 lekë/vit. Nga biletat e tjera të pajtimit mujor të cilat nuk është e nevojshme të indeksohen:
Shuma nga Abonetë e Përgjithshme (=)192,711 copë (x) 1333.33 lekë/një abone Përgjithshme(=) 256,948,000 lekë/vit. Shuma nga Abonetë e Linjës (=)112,001 copë (x) 1,000 lekë/një abone linje (=) 112, 001,000 lekë/vit.
Shuma totale e të ardhurave (=) Shuma nga bileta një përdorimshe (+) shuma nga biletat e pajtimit mujor/abone (=) 1,864,776 980 lekë/vit duke pranuar të harmonizuar të ardhurat dhe shpenzimet vjetore të shërbimit të transportit publik qytetës.
Kjo vendimmarrje me efekte financiare në ndihmë të përdoruesve të transportit publik, shoqëruar me përmirësimin e kushteve të shërbimit dhe projekteve të tjera në vijim synon arritjen e objektivave të Bashkisë së Tiranës si më poshtë:
-Fuqizimit të transportit publik si një zgjidhje e qëndrueshme për përballimin e kërkesës për lëvizje, kjo e kombinuar me një sërë masash të tjera qëi japin mundësi alternativave të ndryshme të lëvizjes dhe jo vetëm përdorimit të mjeteve private, që janë baza e strategjisë së transportit dhe mobilitetit në Bashkinë e Tiranës.
-Rritja e nivelit të shërbimit të ofruar në rrjet, duke mundësuar shtimin e numrit të mjeteve në shërbim dhe një rritje të kilometrave të përshkuar nga shërbimi gjatë ditës. Përmirësimin e kushteve të shërbimit në tërësi dhe krijimin e mundësive për një mirëmenaxhim të rrjetit të transportit.
-Rritjen e përdorueve të transportit publik duke mos i ndikuar ata nga kostot financiare të shtuara. -Krijimin e mundësive për politika sociale si për studentët por edhe për kategori të tjera sipas vendimarrjeve në vijim. Rritjen me efektivitet ekonomik në shërbimin e transportit dhe garantimi i qëndrueshmërisë financiare./ Monitor