Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ngritur akuza të forta ndaj qeverisë shqiptare gjatë takimit të përbashkët BE-Shqipëri në Parlamentin Europian, duke deklaruar se në Shqipëri shteti ligjor është dobësuar dhe se ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë.
Në fjalën e tij para eurodeputetëve, Bardhi tha se sfida kryesore për Shqipërinë është përgjigjja ndaj pyetjes nëse “ligji është më i fortë se pushteti”. Sipas tij, problemet shfaqen pikërisht në momentin kur institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë ndaj zyrtarëve të lartë. Bardhi përmendi rastin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke pretenduar se shumica parlamentare përdori votën e saj si mburojë politike pasi SPAK kërkoi autorizimin e Kuvendit për vijimin e procedurave ndaj saj.
Në vijim të fjalës së tij, kreu i grupit parlamentar të PD-së foli edhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, duke pretenduar se disa urdhër-arreste të rëndësishme për persona të lidhur me botën e krimit vijojnë të mos ekzekutohen. Bardhi akuzoi qeverinë se nuk po lufton mjaftueshëm fenomenin e pastrimit të parave, duke përmendur investimet në sektorët e ndërtimit dhe turizmit si fusha ku, sipas tij, mund të depërtojnë paratë e ardhura nga aktivitetet kriminale.
FJALA E PLOTE
Kur flasim për të drejtat themelore, shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në fakt po përpiqemi t’i japim përgjigje një pyetjeje themelore:
A është ligji më i fortë se pushteti? Ligjet mund të shkruhen mirë. Por prova e tyre e vërtetë vjen në momentin kur duhet të veprojnë ndaj vetë pushtetit. Pikërisht aty kuptohet nëse shteti i së drejtës është real, apo vetëm formal.
Po ju sjell dy raste konkrete që tregojnë se çfarë ndodh në Shqipëri kur ligji përballet me pushtetin. I pari lidhet me luftën kundër korrupsionit. Kur SPAK kërkoi autorizimin e Kuvendit për të vijuar procedurat ndaj një prej zyrtarëve më të lartë të qeverisë shqiptare, zëvendëskryeministres Belinda Balluku, shumica parlamentare përdori votën si mburojë politike. Kryeministri urdhëroi shumicën për të mbrojtur krahun e tij të djathtë, edhe pasi vetë SPAK deklaroi publikisht se mungesa e masës së sigurimit dëmtonte hetimin.
Ky është një moment që ngre një pyetje themelore: a përdoret shumica parlamentare për të mbrojtur institucionet apo për të mbrojtur pushtetin nga veprimi i ligjit?
Rasti Balluku nuk ishte vetëm një debat i brendshëm politik. Ai ekspozoi një problem që sot është reflektuar edhe në kriteret (benchmarks) e Bashkimit Europian për mbylljen e Grupkapitullit të Themeloreve: nevojën që ekzekutivi dhe legjislativi të mos ndërhyjnë në drejtësi dhe që vendimet për imunitetin të udhëhiqen nga standardet e Komisionit të Venecias.
Rasti i dytë lidhet me luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
Dy nga urdhër-arrestet më të rëndësishme për krimin e organizuar në Shqipëri , ai ndaj drejtuesit të bandës së Elbasanit dhe ai ndaj personit që konsiderohej koordinatori jozyrtar i Kryeministrit, mbeten ende të paekzekutuara. Vendndodhja e tyre është prej kohësh sekret publik në zemër të Shqipërisë, por policia nuk i gjen. Kjo është e vështirë të shpjegohet me mungesë informacioni. Ajo ushqen bindjen se ligji ndalet aty ku fillon interesi politik i pushtetit.
Po aq shqetësues është fenomeni i pastrimit të parave. Hetimet e autoriteteve ligjzbatuese në Belgjikë, Hollandë, Itali, Gjermani dhe Francë kanë zbuluar organizata shqiptare të trafikut ndërkombëtar të kokainës që investojnë fitimet e tyre në Shqipëri, përmes projekteve në ndërtim dhe turizëm. Investime që nuk mund të realizohen pa vendimmarrjen dhe miratimin e qeverisë shqiptare.
Po citoj dosjen më të fundit të Prokurorisë së Posaçme çhqiptare kunder krimit te organizuar, SPAK: provat e ardhura nga autoritetet belge kanë dokumentuar me pamje filmike takime të funksionarëve të lartë shtetërorë shqiptare me persona të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge. Sipas së njëjtës dosje, në këto takime diskutohet përdorimi i pasurive të paluajtshme dhe investimeve në ndërtim e turizëm për pastrimin e të ardhurave nga trafiku i kokainës.
Edhe përpara se ky fakt tronditës të bëhej publik, opozita kishte kërkuar interpelancë me Kryeministrin për çështjen e pastrimit të parave nga krimi i organiçuar dhe korrupsioni në ndërtim dhe turizëm. Kryeministri refuzoi të paraqitej në Parlament.
Kërkuam ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar.
Edhe ai u refuzua.
Të gjitha këto raste çojnë te e njëjta pyetje: a zbatohet ligji njësoj edhe ndaj pushtetit, apo pikërisht aty ai pushon së vepruari? Sepse kjo është prova e vërtetë e shtetit të së drejtës.
Të nderuar kolegë,
Fatkeqësisht, Shqipëria ende nuk e ka kaluar plotësisht provën më të vështirë të shtetit të së drejtës: që ligji të jetë njësoj i fortë për të gjithë dhe të mos bëhet më i dobët sa herë që përballet me pushtetin.