Barcelona siguron biletën për në çerekfinalet e Champions League, (pothuaj) pa asnjë problem. Katalanasit fitojnë 7-2 në Camp Nou në ndeshjen e kthimit kundër Newcastle dhe kështu bëjnë të pavlefshëm barazimin 1-1 me të cilin Magpies kishin arritur t’i ndalonin në St James’ Park në ndeshjen e parë. Për të vendosur sfidën janë golat e Raphinha, Bernal, Yamal, Fermin dhe Lewandowski, ndërsa për anglezët nuk mjafton dygolëshi i Elanga. Skuadra e Flick do të përballet në raundin e ardhshëm me Atletico Madrid ose Tottenham.
Pas barazimit 1-1 të arritur në ndeshjen e parë në tokën angleze, Barcelona dhe Newcastle rikthehen të përballen në Camp Nou, ku Blaugranat zhbllokojnë rezultatin që në minutën e 6’: Yamal ul në tokë Thiaw me një lëvizje të shpejtë, Fermin jep asistin dhe Raphinha mposht Ramsdale. Magpies pësojnë dhe reagojnë menjëherë: Hall ndëshkon vijën zakonisht shumë të lartë të mbrojtjes së Barçës dhe i jep Elanga topin që suedezi e shndërron në 1-1 në minutën e 15’. Kalojnë tre minuta dhe vendasit rikthehen në avantazh: Newcastle kapet në befasi në një goditje dënimi të Raphinha dhe Bernal shënon për 2-1 në minutën e 18’. Edhe këtë herë skuadra e Howe përgjigjet në minutën e 28’, me 2-2 të realizuar nga Barnes dhe Elanga, i cili kështu shënon dygolësh.
Në shtesën e gjatë të pjesës së parë, Yamal shënon për 3-2 nga pika e bardhë, përpara rënies së plotë të Newcastle në fillimin e pjesës së dytë: mes minutave 52’ dhe 61’ Culers shkëputen me golin e Fermin dhe dygolëshin e Lewandowski. Polaku vjen kështu në formën më të mirë, fatkeqësisht për teknikun Sylvinho, për ndeshjen e 26 marsit kundër Shqipërisë, në playoff-in e Botërorit 2026. Raphinha shton më pas 7-2 përfundimtar në minutën e 72’, duke e kthyer në një makth atë që dukej se mund të ishte një mbrëmje ëndrrash deri në pushim për anglezët. Për të përkeqësuar situatën për “Gazet” është edhe dalja për shkak dëmtimi e Tonali, që duhet vlerësuar edhe në funksion të Italisë: lojtari italian pëson një goditje në kofshë dhe zëvendësohet. Gëzon ndërkohë Flick, që shijon një pjesë të dytë të shkëlqyer të skuadrës së tij dhe fluturon në çerekfinale.