Barcelona ka përfunduar një sezon për t’u kujtuar, edhe pse humbja në gjysmëfinale të Champions League kundër Interit ka peshuar padyshim në bilancin e sezonit. Megjithatë, skuadra katalanase rrezikon që shumë shpejt t’i shohë të pavlefshme të gjitha përpjekjet për shkak të parregullsive në Fair Play-in Financiar, me UEFA-n që mund të ndërhyjë që në sezonin e ardhshëm me një penalizim në kompeticionin më të lartë evropian.
Ajo që rëndon mbi klubin katalanas është përsëritja e shkeljes, pasi klubi i Joan Laportës kishte shkelur tashmë rregulloret e parashikuara nga Bordi i Kontrollit Financiar të Klubeve (CFCB) i UEFA-s, duke raportuar gabimisht fitimet dhe duke u ndëshkuar kështu me një gjobë prej 500.000 eurosh nga organi evropian i futbollit. Barcelona kishte bërë ankim në tetor në Gjykatën e Arbitrazhit për Sportin, të cilin e kishte humbur, me vetë organin gjyqësor që e kishte cilësuar sanksionin si “relativisht të lehtë”.
Duke lexuar arsyetimin e vendimit, del në pah një skenar që frikëson veçanërisht në Katalonjë: “CFCB… thekson se një shkelje e ngjashme nga ana e klubit gjatë procesit të monitorimit 2023/24 do të përbënte një rast të përsëritur dhe do të trajtohej me vendosjen e një mase disiplinore më të ashpër ndaj FC Barcelona-s.” Në këtë pikë, siç raportohet nga The Times, mund të merret një penalizim në fazën e grupeve të Champions League-s së ardhshme, një situatë që mund të ndikojë në rrugëtimin evropian të skuadrës spanjolle.
Barcelona nuk do të ishte skuadra e vetme që ka tejkaluar kufijtë e vendosur nga UEFA, të cilët parashikojnë një humbje maksimale prej 60 milionë eurosh në një periudhë trevjeçare. Të prekura nga ky vendim do të ishin gjithashtu edhe Aston Villa dhe Chelsea, por këto të fundit do të ishin në shkeljen e tyre të parë, arsye për të cilën do të ndëshkoheshin vetëm me një gjobë financiare dhe disa kufizime në merkato.
KOMUNIKATA E BARCELONËS
“Barcelona ka përfunduar së fundmi një proces auditimi financiar që UEFA e zhvillon çdo dy vjet. Klubi nuk është ende i informuar për përfundimet dhe pasojat e mundshme që mund të vijnë nga ky auditim. Mospërputhja kryesore është se UEFA nuk i konsideron disa transaksione (të ashtuquajturat leva) si të ardhura të zakonshme, ndryshe nga Liga, e cila i konsideron si të ardhura operative të zakonshme. Do t’ju mbajmë të informuar.”