Bankat dhanë rreth 182 mijë kredi vitin e kaluar, rënie e lehtë nga 2024-a

Sektori bankar realizoi më shumë se 182 mijë disbursime të kredive vitin e kaluar.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, numri i kredive të disbursuara pësoi një rënie me afërsisht 4% krahasuar me një vit më parë.

Numri i disbursimeve nuk përkon domosdoshmërisht me numrin e kredive të dhëna, sepse në disa raste kreditë disbursohen në transhe të ndara. Shembuj të tillë janë kreditë për bizneset, por shpesh edhe kreditë për blerjen e pronave nga individët, sidomos kur bëhet fjalë për prona të blera para përfundimit dhe kur disbursimi i kredisë ndjek ecurinë e zbatimit të projektit të ndërtimit.

Ndikimin kryesor në rënien e numrit të disbursimeve të kredive e dha segmenti i individëve.

Numri i kredive të dhëna për individët arriti në rreth 89 mijë, 25% më pak krahasuar me vitin 2024. Shuma totale e kredive të disbursuara për individët arriti në 106 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej rreth 15%.

Rritja e shumës së disbursuar, përkundrejt një numri më të vogël të kredive të dhëna tregon se vlerat mesatare të kredive të dhëna kanë qenë ndjeshëm më të larta gjatë vitit 2025.

Kjo mund të lidhet si me ekspozime më të mëdha në segmentin e kredisë për blerjen e banesave, por pjesërisht edhe me rritjen e ndjeshme të shumës mesatare të kredive konsumatorë. Në vijim të aplikimit të disa masave kufizuese në kredinë për shtëpi, bankat kanë reaguar duke rritur nivelet maksimale të kredive konsumatorë të pasiguruara me kolateral.

Në numër, kreditë e individëve përbëjnë rreth 49% të totalit, ndërsa në vlerë rreth 34% të tyre.

Rritja më e madhe e numrit të kredive erdhi në segmentin e biznesit. Numri i kredive të disbursuara për bizneset vitin e kaluar arriti në pothuajse 93 mijë, me një rritje prej 26% krahasuar me një vit më parë. Kreditë e biznesit përbënin pak më shumë se 51% të numrit total të kredive të disbursuara, nga 39% që zinin një vit më parë. Vlera totale e disbursimeve të kredive për bizneset ishte afërsisht 207 miliardë lekë ose 2% më pak krahasuar me një vit më parë.

Ndryshe nga sa ka ndodhur për individët, në rastin e bizneseve bankat kanë dhënë më shumë kredi, por për një vlerë mesatare më të vogël.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë japin disa të dhëna edhe për ecurinë e pagesave të kredive. Vitin e kaluar, bizneset kryen 365 mijë pagesa të kësteve kredisë ose rreth 30 mijë pagesa kredie në muaj. Numri i pagesave u rrit me 13% krahasuar me një vit më parë.

Numri i pagesave jep një informacion orientues lidhur me numrin e kredive aktive dhe me rregullsinë e shlyerjes së tyre.

Megjithatë, duhet konsideruar se struktura e shlyerjes së kredive të biznesit jo gjithmonë është e njëjtë me atë të individëve, ku zakonisht pagesat kryhen me bazë mujore.

Individët vitin e kaluar kryen afërsisht 2.17 milionë pagesa të kësteve të kredisë ose mesatarisht rreth 180 mijë pagesa në muaj.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme vitin e kaluar zbriti në 3.8%, nga 4.17% që kishte qenë një vit më parë. Ky tregues ka arritur nivelin më të ulët që prej shtatorit të vitit 2008. /Monitor

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top