Banka e Shqipërisë ka tërhequr mbi gjysmë miliardë euro nga tregu deri në fillim të gushtit. Kjo sasi e tërhequr nga tregu pritej të sillte ndryshime në kursin e këmbimit në harkun e 8 muajve. Por në një analizë të tregut valutor vihet re se përveç disa luhatjeve para sezonit veror monedha europiane ka vijuar tatëpjetën.
Nga një maksimum për vitin 2025 në 100.06 lekë në fund janari, euro vijoi rënie. Por hyrja në sezonin veror bëri që euro të zhvlerësohej ndjeshëm me 1.67 lekë deri në fund të muajit maj.
Kulmi i sezonit veror me ardhjen e turistëve duke shtuar më shumë euro në treg e dëmtoi dhe më shumë këmbimin e saj duke arritur kështu në minimume të reja. Sipas Bankës së Shqipërisë euro në përditësimin më të fundit u tregtua për 97.22 lekë, vlera më e ulët ndonjëherë. Vetëm në 8 muaj euro është zhvlerësuar me 2.84 lekë. Sasia e lartë e euros në Shqipëri vjen kryesisht nga turizmi, investimet e huaja, remitancat dhe paraja informale.