Banka e Shqipërisë noton në euro/ Rezerva valutore thyen rekord, plot 7.9 miliardë

Rezerva valutore ka arritur një rekord të ri historik në mesin e këtij viti.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vlera e mjeteve të rezervës arriti në rreth 7.9 miliardë  euro, në rritje me 7.9% që nga fillimi i vitit 2026 dhe me 17.2% me bazë vjetore.

Rritja e vazhdueshme e vlerës së rezervës valutore po mbështetet nga blerjet e konsiderueshme të valutës nga Banka e Shqipërisë në tregun e brendshëm valutor.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara deri tani, për tre muajt e parë të vitit 2026 Banka e Shqipërisë bleu rreth 140 milionë euro në tregun e brendshëm valutor.

Kjo është vlera më e lartë historike e blerjeve të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për këtë periudhë të vitit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, blerjet e valutës janë rritur me 320%.

Pavarësisht blerjeve të mëdha të Bankës së Shqipërisë, kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut po vijon rënien dhe ka prekur një rekord të ri historik pranë nivelit të 92.5 lekëve, në rënie vjetore me afërsisht 5%.

Këtë vit, Banka e Shqipërisë do të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës në tregun e brendshëm. Ajo synon të blejë përmes ankandeve 330 – 450 milionë euro, me objektiv rritjen e rezervës valutore. Objektivi i blerjeve është rritur ndjeshëm krahasuar me projeksionet në intervalin 270-350 milionë euro të parashikuar për vitin 2025.

Megjithatë, blerjet totale të valutës ka të ngjarë të rezultojnë në vlera shumë të mëdha.

Në periudhën 2024-2025, Banka Qendrore bleu më shumë se dy miliardë euro në tregun e brendshëm valutor, me qëllim për të frenuar forcimin e vazhdueshëm të Lekut në kursin e këmbimit.

Ndryshimi i vlerës së aktiveve në valutë të huaj nuk është i lidhur vetëm me volumin e investimeve të reja, por edhe lëvizjet e çmimit të instrumenteve financiare dhe metaleve të çmuara në tregjet ndërkombëtare.

Në mesin e këtij viti, titujt e borxhit përbënin 80% të mjeteve të rezervës, ndërsa depozitat në cash përbënin 12% të saj. Pjesa e mbetur e rezervës është e investuar në ar dhe në të drejta tërheqjeje (SDR) pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Në veçanti, vitin e kaluar rritja e çmimit të arit dha një ndikim pozitiv në vlerën e rezervës valutore. Në gjysmën e parë të këtij viti, çmimet e arit paraqiten në rënie. Kjo ka sjellë edhe rënie të vlerës së rezervave të arit në 412 milionë euro, 4.2% më pak krahasuar me fundin e vitit 2025.

Megjithatë, rënia e vlerës së arit është kompensuar dhe tejkaluar nga blerjet e reja të valutës dhe nga rritja e vlerës së titujve financiarë ku është investuar rezerva valutore.

Rezerva valutore është instrument i rëndësishëm për të amortizuar goditje të mundshme, të lidhura si me deficitin e llogarisë korrente, ashtu edhe me nivelin e lartë të Euroizimit të sektorit financiar në vend.

Misioni i FMN për Shqipërinë, në deklaratën e fundit, të vitit 2025, megjithatë, i rekomandonte Bankës së Shqipërisë një qasje më të kujdesshme në rritjen e mëtejshme të rezervës valutore. Sipas misionit të FMN-së, përfitimet nga akumulimi i rezervave duhet të peshohen ndaj kostove oportune në rritje, rreziqeve të normave të interesit dhe humbjeve të mundshme nga rivlerësimi valutor.

Rritja e rezervës valutore ka sjellë kosto të konsiderueshme në bilancin e Bankës së Shqipërisë, si rezultat i forcimit të kursit të këmbimit të monedhës vendase. Për vitin 2025, humbjet neto nga ndryshimet e kurseve të këmbimit kishin vlerën e 24.1 miliardë lekëve. Humbjet në këtë zë u rritën me 79% krahasuar me një vit më parë. /monitor

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top