Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës i ka kaluar stafetën ditën e sotme pasardhësit të saj Enea Karakaçi. Gjatë fjalës së saj për prezantimin e Ministrit të ri, Balluku ka folur në lidhje me hetimet e SPAK-ut ndaj saj. Balluku ka deklaruar se reforma e re në Drejtësi duhet që të jetë frymëzimi i këtij vendi.
Ndërkohë që ajo ka theksuar se vetë nuk ka për të përmendur prokurorë apo gjyqtarë në mënyrë që t’i anatemojë ata në punën e tyre. Më tej, Balluku ka theksuar se ata duhet që të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre, njësoj siç ajo ka bërë punën e saj.
Unë besoj se drejtësia e re, si produkt i reformës në drejtësi, si produkt i vizionit të Ramës dhe PS-së, si një produkt i një Shqipërie europiane, duhet të vazhdojë të jetë frymëzim për këtë vend, pasi kjo reformë u krye për të kthyer besimin e qytetarëve tek një drejtësi e drejtë dhe e pavarur. Unë besoj tek kjo drejtësi dhe nuk do të më dëgjoni kurrë as ta lavdëroj kur ajo godet kundërshtarët e mi politikë, pasi unë nuk kam kundërshtarë të tillë, dhe as ta anatemoj kur kjo drejtësi mund të prekë interesat e mi personalë.
Nuk do të më dëgjoni kurrë të përmend prokurorë dhe gjyqtarë, pasi besoj se ata duhet të bëjnë detyrën e tyre, ashtu siç e kam bërë edhe unë, dhe secili duhet të jetë i lirë për të vendosur dhe gjykuar pa qenë i ndikuar nga gjykata publike, nga gjysmë të vërteta apo nga gënjeshtra. Nuk kam pasur dhe as nuk kam lidhje me korrupsionin. Po më bëhet gjyq publik,’ tha Balluku.