Bajrami braktis Shqipërinë për Zvicrën: befasohet Sylvinho, po lojtarin e humbëm vetë

Adrian Bajrami u lodh së qeni i thirrur sa për numër. Pothuaj kurrë i aktivizuar, me përjashtim të tre ndeshjeve miqësore, mbrojtësi 23 vjeçar është injoruar nga Sylvinho, që nuk i besoi asnjëherë. Edoardo Reja i dha debutimin në miqësoren me Estoninë në 13 qershor 2022, por prej aty djaloshi humbi i mbyllur nga lojtarët të tjerë e nga një trajner që nuk provoi kurrë të dilte nga zona e sigurisë për të provuar të ndryshojë.

Vetëm 199 minuta në tre miqësore e asnjë eliminatore. E kështu, Adrian Bajrami (ish-Benfica) vendosi të ndryshojë fatet e karrierës së tij ndërkombëtare, duke hequr dorë nga fanella kuqezi për Zvicrën. Me pasaportë zvicerane dhe i lindur në Langenthal e në forcë të Luzerne, duket krejt normale që Bajrami të ndihet gati të ndryshojë fanellë, për më tepër që me Shqipërinë askush nuk denjoi ti jepte mundësinë të shpërfaqej.

23 vjeçari ka informuar FSHF-në për vendimin e tij, pasi kishte marrë ftesën nga Sylvinho. Braziliani pastaj, për të plotësuar listën, ka thirru mbrojtësin Maldin Kacurri, i cili do të bashkohet me skuadrën në kampin stërvitor të kuqezinjve në Malaga gjatë të hënës dhe do të vihet në dispozicion për këto dy ndeshje. Kacurri, i cili ka qenë më parë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave U-17, U-19 dhe U-21 të Shqipërisë, ftohet për herë të parë në Kombëtaren A.

Ndryshime në listën e Kombëtares
Para ndeshjeve të shtatorit me Gjibraltarin dhe Letoninë Sylvinho detyrohet të ndryshojë dhe jo vetëmk për zgjedhjen e Adrian Bajramit. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se në vend të Ylber Ramadanit, i cili nuk do të jetë pjesë e Kombëtares për shkak dëmtimi, është thirrur Enis Çokaj, mesfushor i Levadiakosit në kampionatin grek, që ka qenë edhe më parë pjesë e Kombëtares A, ku numëron 5 ndeshje.

Pjesë e Kombëtares për dy ndeshjet e shtatorit nuk do të jetë as Ernest Muçi, i cili ka vuajtur nga dhimbje të mesit me shenja të inflamacionit të diskut. Pas konsultimit me stafin mjekësor të klubit dhe doktorin e Kombëtares, është vendosur që ai të mos thirret për këto ndeshje. Trajneri Sylvinho ka vendosur të thërrasë sulmuesin Cristian Shpendi, i cili grumbullohet për herë të parë me Kombëtaren A, pas aktivizimeve me ekipet kombëtare të moshave U-19 dhe U-21.

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top