Santiago Gimenez është qendërsulmuesi i Milanit për sezonin 2025/26, por gjatë gjithë verës pozicioni i tij në qendër të sulmit të Massimiliano Allegrit ka qenë në diskutim. Pas muajve të parë të vështirë nën drejtimin e Conceiçao, meksikani duhej të niste me një përgatitje si protagonist, por qëndrimi i tij te kuqezinjtë ka qenë në dyshim deri në orët e fundit të merkatos. Ndër fjalët më të diskutuara, për më tepër, kanë qenë ato të drejtorit sportiv Igli Tare në prag të ndeshjes Lecce-Milan, në të cilat ai bëri publike mundësinë e shkëmbimit me Romën me Dovbyk.
Fjalë që i habitën të gjithë dhe që, tani që gjithçka është mbyllur dhe nuk u realizua, janë komentuar edhe nga Christian Gimenez, babai i Santiagos: “Ne kemi dëgjuar shumë zëra, pastaj të njëjtat gjëra u thanë nga drejtori sportiv para ndeshjes dhe nisëm të kuptonim çfarë po ndodhte. Ishte titullar, por donin ta shisnin. Nuk kuptonim, por e vërteta është se gjithçka ishte shumë e paqartë. Rrallë një drejtor sportiv bën deklarata të tilla. Mundësia për të bërë shkëmbimin ka ekzistuar, por Santi nuk është konsultuar kurrë”.
Të hënën marrëveshja nuk u realizua dhe Santiago Gimenez mbeti te Milani: “Palët u takuan, Tare, Furlani dhe Ibra – që ka pasur një rol të rëndësishëm në këtë – vendosën që ai do të qëndronte. Pas fjalëve të drejtorit sportiv në Lecce, megjithatë, ishte e vështirë, sepse nuk patëm kohë të kuptonim çfarë po ndodhte realisht” – ka komentuar babai i Gimenez për ClaroSports.
Në sezonin që të çon drejt Botërorit në shtëpi, me disa ndeshje të luajtura në Meksikë, Santi Gimenez dëshiron ta luajë vendin e titullarit: “Jemi të lumtur që ai është ende te Milani, por në një moment trajneri dhe drejtori sportiv që janë të sapoardhur, kanë dyshuar për aftësitë e tij. Ata do ta njohin duke e stërvitur dhe duke punuar me të, i kanë folur”. Pastaj mbyllja: “E gjithë kjo besoj se në fund do të shërbejë për të nxjerrë bishën që ka brenda tij, gjithçka do të varet nga ai, sepse është në një klub që e do dhe ku dëshiron të qëndrojë. Do të bëjë një sezon të madh”.
Vetë qendërsulmuesi do të duhet të tregojë në fushë se e ka kaluar këtë situatë të paqartë: “Milani të kërkon shumë, ai ka mbetur i qetë duke menaxhuar emocionet. Por e gjithë kjo duhet t’i prekë krenarinë”.