Autoriteti i Konkurrencës hap hetim ndaj ndërmarrjeve të administrimit

Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një hetim paraprak ndaj ndërmarrjeve të administrimit në rezidencat e banimit të qarkut të Tiranës, në tregun e aksesit të shërbimit të internetit.

Procedura ka nisur mbështetur në disa ankesa të depozituara pranë Autoritetit të Konkurrencës, mbi problematikat në zgjedhjen e ofrimit të shërbimit të internetit pranë komplekseve të pallateve në kryeqytet.

Nga vlerësimi i informacionit të grumbulluar gjatë monitorimeve të kryera nga inspektorët e Autoritetit të Konkurrencës pranë komplekseve të pallateve në Tiranë, rezultoi se, në një rast, pavarësisht deklaratës së ndërmarrjes së administrimit se banorët dhe bizneset janë të lirë të zgjedhin ofrues interneti sipas dëshirës së tyre, biznese pranë këtij kompleksi dëshmuan që prej tre vitesh janë të lidhur me një ofrues të vetëm interneti dhe nuk mund ta ndryshojnë atë. Sipas tyre, në këtë kompleks interneti ofrohet vetëm nga një ofrues.

Ndërsa në një rast tjetër, sipas ndërmarrjes së administrimit, për shkak të infrastrukturës së ndërtuesit kishte mundësi vetëm për një ofrues internet që të operonte në hapësirën e kompleksit, duke e bërë kështu të pamundur zgjedhjen e një ofruesi tjetër për këtë shërbim.

Mbështetur në faktet e mësipërme, Komisioni i Konkurrencës ka vlerësuar se ekzistojnë dyshime të arsyeshme se në tregun e aksesit të shërbimit të internetit në rezidencat e banimit të qarkut të Tiranës, ka problematika dhe mund të ketë elementë të abuzimit me pozitën dominuese nga ndërmarrjet e administrimit në rezidencat e banimit të qarkut të Tiranë. Një situatë e tillë mund të jetë shenjë e kufizimit, shtrembërimit apo pengimit të konkurrencës në kuptim të nenit 9, të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Hetimi paraprak do të përfshijë periudhën kohore nga data 1 janar 2020 deri në 13 tetor 2023.

Monopolet e ofrimit të shërbimit të internetit me linja fikse nuk janë të rralla në godinat e banimit në Tiranë. Shpeshherë, vetë firmat ndërtuese ose kompanitë e administrimit japin të drejtën e vendosjes së infrastrukturës së lidhjes për një ofrues të vetëm shërbimi, duke penguar kompanitë e tjera. Një praktikë e tillë iu heq banorëve e pallateve mundësinë e zgjedhjes dhe i detyron t’i marrin shërbimet e komunikimit fiks, si internet, IPTV apo telefoni nga një ofrues i vetëm shërbimi.

Ndërmarrjet e administrimit e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në zbatim të ligjit të vitit 2009 “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit”. Referuar nenit 19, të këtij ligji, Kryesia, në emër dhe për llogari të asamblesë, mund të lidhë kontratë për administrimin e bashkëpronësisë me një shoqëri administrimi ose një administrator, person fizik, i cili mund të jetë njëri prej bashkëpronarëve ose një person i jashtëm. Çdo person, fizik apo juridik, privat, që ka për objekt veprimtarie administrimin e ndërtesave, regjistrohet në librin e administruesve, pranë bashkisë, komunës, në juridiksionin e së cilës do ta ushtrojë këtë veprimtari./ MONITOR

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top