Auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) gjatë periudhës janar-gusht kanë konstatuar një dëm ekonomik dhe shkelje të disiplinës financiare me efekt negativ në buxhet që shkon në disa miliardë lekë.
Konkretisht në buletinin e fundit KLSH vlerëson se gjatë periudhës janar-gusht 2024, janë dhënë 413 rekomandime mbi gjetje me efekte negative në buxhetin e shtetit, për një total me vlerën 7 miliardë lekë apo rreth 70 milionë euro.
Sipas raportit, dëmi ekonomik i vlerësuar është 209 milionë lekë apo rreth 2 milionë euro teksa menaxhimi jo efektiv i fondeve llogaritet nga KLSH në vlerën 6.2 miliardë lekë apo rreth 62 milionë euro, në fund edhe 552 milionë lekë në mangësi në aktivitetin kontrollues tatimor/doganor apo 5.5 milionë euro.
Sipas audituesve, vlera e efekteve financiare me pasojë dëm ekonomik në buxhetin e shtetit, është konstatuar 92% në fushën e shpenzimeve dhe 8% në fushën e të ardhurave.
“Në fushën e shpenzimeve, peshën më të madhe e zënë shkeljet e konstatuara përgjatë zbatimit të punimeve në vlerën 170 milionë lekë ( likuidime për punime të pakryera, mos llogaritjeve të kostove përfundimtare të shërbimit të projektimit, punime jo ne përputhje me specifikimet teknike, etj);
Ndërsa në fushën e të ardhurave, peshën më të madhe e zënë shkeljet që lidhen me mos arkëtimin e tatimeve dhe taksave në qeverisjen lokale në shumën prej 16.9 milionë lekë” thuhet në raport.
Sa i takon efekteve negative në buxhet duket se peshën kryesore me 3.2 miliardë lekë e mbajnë shkeljet e disiplinës financiare në fushën e të ardhurave (ose rreth 53% e totalit) kryesisht në të ardhurat e qeverisjes lokale për çështje që lidhen me detyrime për taksat dhe tarifat vendore.
Nga ana tjetër 2.9 miliardë lekë janë efekte negative nga shkeljet e disiplinës financiare në fushën e shpenzimeve (ose rreth 48% e totalit), si rezultat i shkeljeve të disiplinës buxhetore lidhur me likuidimin e shpenzimeve, keq menaxhimin e fondeve të programuara apo mungesë kontrolli në realizimin e procedurave të prokurimit jo në përputhje me kuadrin ligjor.
Sipas raportit KLSH, për të metat dhe shkeljet e konstatuara, ka adresuar tek subjektet e audituara 574 rekomandime për masa administrative dhe disiplinore, nga të cilat 517 masa disiplinore dhe 57 masa administrative./MONITOR