Në javën e fundit të Serie A, një nga ndeshjet më të përfshira në vendime të VAR-it dhe analiza të rasteve të diskutueshme ishte edhe Como-Juventus, e luajtur të premten dhe e fituar nga bardhezinjtë falë dygolëshit të Kolo Muanit. Megjithatë, skuadra vendase u ankua për gjykimin e arbitrit Abisso dhe përdorimin e VAR-it, veçanërisht për rastin e prekjes me dorë nga Gatti në zonën e Comos pas një depërtimi të Douvikas, që nuk u konsiderua penallti. Një episod që krijoi një situatë paradoksale në dhomën e VAR-it, me një lexim të qartë nga AVAR Maggioni – i cili mendonte se duhej dhënë penallti – ndërsa Guida mori vendimin përfundimtar: “Kontrolli i përfunduar, për mua nuk është”.
Prekja me dorë e Gatti në zonë ndaj Douvikas, objekt analizash në Open VAR
Disa ditë pas ndeshjes, polemikat mbi vendimin e VAR-it në Como-Juventus nuk kanë pushuar, me skuadrën e Fabregas që vazhdon të protestojë për mosdhënien e penalltisë pas prekjes me dorë të Gattit gjatë përplasjes me Douvikas. Audioja e dhomës së VAR-it, e transmetuar nga emisioni Open VAR në DAZN për të treguar çfarë ndodh pas kuintave në situatat më të diskutueshme, ka nxitur edhe më shumë debat. Madje, anëtarët e VAR-it ishin dukshëm në kundërshtim me njëri-tjetrin, me analiza krejtësisht të ndryshme mbi mënyrën se si duhej ndëshkuar episodi.
Audioja surreale në VAR: Guida dhe Maggioni në mosmarrëveshje
Rasti ndodhi në minutën e 81-të, me rezultatin 1-1 dhe ndeshjen të hapur për çdo rezultat. Douvikas depërtoi në zonën e Juventusit, i ndjekur nga Gatti, i cili në përpjekje për ta ndalur, e preku lehtë topin me dorë – një prekje e vështirë për t’u dalluar në momentin e parë, por e qartë në pamjet e ngadalësuara. Kjo ndërhyrje i pengoi Douvikas kontrollin e topit dhe mundësinë për të goditur në portë. Arbitri Abisso ndali lojën dhe u thirr për një kontroll, ndërsa në dhomën e VAR-it nisi diskutimi:
Guida (VAR): Prisni një moment, vetëm një moment… kontroll në zhvillim, kontroll në zhvillim…
Maggioni (AVAR): E prek, e sheh? Është e njëjta gjë me atë që pe ti.
Asistenti i arbitrit (nga fusha): Besoj se po e shqyrtojmë në bazë të dinamikës, apo jo?
Guida: Po, është në dinamikë…
Maggioni: Pastaj shkon në markim…
Guida: Po, por për mua është në dinamikë… më jep një kënd tjetër: për mua është në dinamikë.
Maggioni: Po i heq kontrollin ama, Marco, ai mund ta ndalte topin.
Guida: Jo, për mua nuk është penallti… ma trego përsëri.
Maggioni: Shikoje mirë, ai ia heq topin, Douvikas mund ta ndalte, por e humb kontrollin. Me krah e prek para se të shkojë në markim.
Guida: Po është në mbështetje…
Maggioni: Pas kësaj. E sheh që ia heq kontrollin, sidoqoftë ia pengon zotërimin e topit…
Guida: Kontrolli i përfunduar.
Maggioni: Për mua jo.
Guida: Në rregull.
Ish-arbitri Liberatore: “Nuk është penallti, prekja ishte e rastësishme”
Nga studiot e DAZN, ish-arbitri Elenito Di Liberatore (pjesë e AIA) e mbështeti vendimin e VAR-it duke thënë: “Ky është një prekje e dorës që nuk ndëshkohet, ndaj ishte e drejtë të mos jepej penallti. Çelësi i këtij rasti është se Gatti po kontestonte hapësirën me kundërshtarin dhe gjatë kësaj lëvizjeje e preku topin në mënyrë të rastësishme. Por kjo është pjesë e dinamikës së aksionit dhe për këtë arsye prekja nuk është e ndëshkueshme.”
Debati u ndez edhe më shumë për shkak të përsëritjes së frazës “ia heq kontrollin” gjatë bisedës në dhomën e VAR-it. Liberatore shtoi: “Më kujton rastin e Inter-Napoli dhe përplasjen trupore mes Oliveras dhe Lautaro Martinez. Ky është një episod i ngjashëm dhe as aty nuk u dha penallti, me të drejtë. Nuk është e drejtë të penalizohet një lojtar që thjesht po përpiqet të marrë një pozicion të favorshëm në fushë.”