Serie A e futbollit është në ditën e fundit të javës së 38-të dhe të fundit të sezonit. Gjithçka nisi në orën 18:00 me dy duele. Fitorja 3-0 e Atalantës kundër Torinos bëri që Roma mos jetë më kandidate për një vend në Champions League dhe Serie A nuk do mund të përfaqësohet me gjashtë ekipe në edicionin e ri të Ligës së Kampioneve.
Ndërkohë që Napoli dhe Leçe barazuan 0-0, me Yler Ramadanin që luajti 90 minuta dhe Medon Berisha 77 minuta për miqtë.
Në Bergamo, Atalanta nuk e diskutoi Torinon. Fituesit e Europa League shënuan me Scamacca dhe Lookman në pjesën e parë dhe Pasalic në të dytën. Berat Gjimshiti luajti 62 minuta për vendasit. Kujtojmë se Atalanta ka edhe një ndeshje të prapambetur kundër Fiorentinës dhe ka shanse që ta mbyllë Serie A në vendin e tretë, duke lënë pas Juventusin.