Rrëfimi i Arben Ahmetaj që përshkroi metodat mafioze në drejtimin e shtetit, përdorimin i SPAK për mbylljen e aferës së inceneratorëve, faljen e pasurive shtetërore “duke ngrënë qofte në verandë” nga Edi Rama apo përfshirja e familjarëve të kryeministrit në afera të dyshimta korrupsioni marrin përgjigje të dielën në mbledhjen e asamblesë kombëtare të PS.
Mbledhja është njoftuar në një mesazh nga Blendi Klosi dhe formalisht ka për qëllim raportimin e detyrave të lëna në Kongresin e fundit të PS.
Por Lapsi.al mësoi se qëllimi është përgjigjia e Ramës për “bombat” që lëshoi Arben Ahmetaj për peshën e korrupsionit dhe diktatin që Rama i përdor për të mbajtur pushtetin.
Më herët, Rama e kishte sulmuar Ahmetaj për “prishje të unitetit të partisë” duke lënë të nënkuptohet se ai i kishte dhënë opozitës dosjen e inceneratorëve. Por sipas Ahmetajt, kjo ishte vetëm një alibi për ta sulmuar duke i dhënë turmës “kokën e turkut”.
Në një nga mbledhjet e partisë, tregoi Ahmetaj, kryeministri Rama ishte shprehur se do ta çonte në të s’ëmës dhe pas kësaj kishte nisur veçimi i tij nga shokët socialistë, që siç u shpreh ai “kishin frikë të pinin një kafe me të”.
Mesazhi i Blendi Klosit
Të nderuar anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS!
Në zbatim të vendimit të Kongresit për raportimin e Detyrave të lëna në kuadër të Rienergjizimit të Partisë, me kërkesën e Kryetarit të PS, ju njoftojmë se ditën e dielë ( 11.02.2024), ora 10:30, tek kompleksi “Xibraku” do të zhvillohet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS.
Pjesëmarrja në mbledhje është e detyrueshme dhe mungesat janë të pajustifikuara!
Sekretari i Përgjithshëm i PS
Blendi KLOSI