Ish-deputetja dhe ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade, ka bërë publike refuzimin e ftesës për të marrë pjesë në aktivitetin që Partia Socialiste organizon këtë të premte në sheshin “Italia”, me rastin e 35-vjetorit të themelimit të saj. Në një reagim të gjatë publik, Dade shpreh kritika të forta ndaj drejtimit aktual të PS-së dhe ndaj mënyrës se si po organizohet ky përvjetor, duke argumentuar se partia është larguar nga parimet mbi të cilat u ndërtua. Ajo e lidh qëndrimin e saj edhe me protestën e të rinjve që po zhvillohet prej ditësh në Tiranë, të cilën e konsideron si shprehje të kërkesave sociale dhe të pakënaqësisë ndaj qeverisjes.
REAGIMI I DADES
Sot, socialistët e vërtetë, ata që u rritën me idealet e drejtësisë shoqërore, nuk gjenden në antimitingun e thirrur “nga lart”. Ata janë aty ku ka qenë gjithmonë shpirti i të majtës, në sheshin ku prej 13 ditësh rinia po proteston për dinjitet. Partia Socialiste nuk ka qenë kurrë partia e kundër-protestave të organizuara me administratë dhe presion. Ajo lindi si avangardë e ndryshimit dhe ka ditur të jetë edhe në vitet më pas, në krye të çdo kthese historike të vendit. Ai shesh që kërkon të mbushë sot zoti Rama nuk përfaqëson historinë e saj, por tjetërsimin e saj.
Vendi im sot është aty ku kam qenë gjithmonë dhe e di që sot flas në emër të çdo socialisti që nuk e ka shitur kujtesën. Socialistët e vërtetë kanë qenë në krye të përballjeve në vitet më të errëta të tranzicionit, në ’92, në ’94, në vitin tragjik ’97, dhe në atë 21 Janar të përgjakur që pasoi krimin shtetëror të Gërdecit. Kemi qenë aty përballë Sali Berishës dhe regjimit të tij. Tragjedi është se ai sistem që luftuam nuk u shkatërrua. Ai u betonua nga ai që sot ka zaptuar kreun e PS-së. Refuzimi im i sotëm është ndaj tij dhe ndaj antimitingjeve të korrupsionit e të fasadës, të cilat i përkulen vetëm parasë e pushtetit, dhe harrojnë gjakun e derdhur në bulevard.
Z.Rama po përpiqet ta shesë revoltën e rinisë si një lëvizje destabilizuese, por e vërteta është krejt ndryshe. Mbi të gjitha, kjo protestë nuk është kundër së majtës. Përkundrazi, ajo ka kërkesa thellësisht të majta dhe sociale, kërkesa për barazi, për mundësi, për mbrojtjen e atyre që kjo qeverisje i ka lënë pas dore. Ndaj kjo është një revoltë edhe kundër zaptimit të së majtës. Ajo që ndodhi me Partinë Demokratike në vitin ’90, kur Sali Berisha e ktheu atë në pronë private dhe zaptoi të djathtën, po përsëritet sot simetrikisht me Partinë Socialiste. Ky zaptim duhet të marrë fund.
Asnjë forcë tjetër politike në historinë moderne të Shqipërisë nuk ka bërë më shumë për shtetformimin dhe progresin sesa Partia Socialiste. Por së fundmi, në trupin e kësaj partie janë rritur tumore të rrezikshme, korrupsioni galopant, klientelizmi dhe së fundmi arroganca e pushtetit absolut. Diferenca historike e PS-së ka qenë aftësia e saj për vetëkorrigjim. Socialistët e vërtetë janë vetëpastruar përmes vullnetit, idealeve dhe zërit kritik, jo përmes duartrokitjeve servile nëpër anti mitingje të rreme. Në këtë ndarje të madhe epokale, është e dhimbshme dhe zhgënjyese të shohësh disa ish-përfaqësues të Partisë Socialiste, njerëz me të cilët kemi ndarë beteja të vështira, që sot do rreshtohen në atë antimiting. Të vjen vërtet keq për rënien e tyre morale. Është e trishtueshme të konstatosh se si këto figura që dikur kishin zë, sot pranojnë të përdoren si dekor, të nxitur nga interesa të vogla, meskine të çastit.
Nuk përfaqësojnë më asgjë veçse kompromisin e tyre personal me të keqen. Duke pranuar të bëhen mburojë e korrupsionit, ata kanë dorëzuar dinjitetin e tyre përpara historisë së kësaj partie, duke zgjedhur të jenë në anën e gabuar të sheshit dhe të kohës. Shqipëria ka sot nevojë për një të majtë të rilindur mbi idealet e saj fillestare. Ka nevojë për një shpallje platforme për të rikthyer shtëpinë ideologjike të së majtës te njerëzit. Ka nevojë për një organizatë politike me moral, me integritet dhe me sytë nga populli, jo nga xhepat.
Ora e këtij rikthimi ka trokitur.