Romanca mes Ana de Armas dhe Tom Cruise ka marrë fund – dhe mesa duket, ishte mision i pamundur të funksiononte.
Sipas Us Weekly, ishte aktorja kubano-spanjolle ajo që mori vendimin për t’i dhënë fund lidhjes, pasi “u ndje e parehatshme me ritmin e shpejtë” me të cilin po zhvillohej marrëdhënia.
“Gjërat po ecnin me shpejtësi dhe ajo nisi të ndjehej pak e parehatshme,” – tha një burim për median amerikane, duke shtuar se, megjithatë, mes tyre ekzistonte një kimi e padiskutueshme.
Burimi shtoi se aktorja e filmit Ballerina, 37 vjeç, “vuri frenat”, por ende e pëlqen shumë Cruise-in.
“Ata kanë një lidhje të fortë dhe do të shohin si do rrjedhin gjërat në të ardhmen. Për momentin janë ndarë, por duan të mbeten miq,” – u shpreh i njëjti burim.
Çifti u përfol për herë të parë në shkurt, pasi kishin kaluar shumë kohë bashkë gjatë stërvitjeve për skenat nënujore të filmit “Deeper”.
“E gjitha nisi me respekt profesional, pastaj shpërtheu në diçka më shumë. Tom ishte plotësisht i magjepsur nga Ana,” – tha burimi.
Megjithëse lidhja nisi me shumë pasion, të dy kuptuan se ishte më mirë ta ruanin miqësinë dhe projektin filmik. Një tjetër raport i Daily Mail theksonte se aktorët “vendosën ta mbanin raportin profesional për të mos rrezikuar filmin dhe miqësinë e tyre”.