Arsenali regjistron një tjetër fitore në Premier League Angleze. Skuadra e Mikel Artetës mposhti në sfidën e javës së 35 Fulham në derbin londinez me rezultatin 3-0 duke e kaluar presionin te Manchester City teksa e çon për momentin diferencën me skuadrën e Guardiolës në 6 pikë.
Arsenal e zgjidhi këtë ndeshje praktikisht që në pjesën e parë kur shënoi të 3 golat e tij. Vetëm 9 minuta priti skuadra e Artetës për të zhbllokuar rezultatin me Gyokeres duke marrë avantazhin në 1-0.
Në minutën e 30 Arsenali shënoi sërish, këtë radhë me Calafiorin, por goli i këtij të fundit u anulua për pozicion jashtë loje.
Gjithsesi, 10 minuta më vonë Arsenali arriti të dyfishojë rezultatin me golin e Bukayo Saka, ndërsa në minutat shtesë Viktor Gyokeres plotësoi dygolëshin personal duke çuar rezultatin në 3-0 që nuk ndryshoi më as në pjesën e dytë të takimit edhe pse Topcinjtë patën mundësi për të thelluar këtë avantazh.
Pas kësaj fitoreje Arsenali shkon në 76 pikë, 6 më shumë se Manchester City që do të luajë të hënën në fushën e Everton, ndërsa Fulham mbetet me 48 pikë në vendin e 10.