Në javën e dhjetë të Premier League, Arsenal vazhdon të fitojë dhe shkëputet në krye me fitoren 2-0 në fushën e Burnley, falë golave të Gyokeres (14’) dhe Rice (35’). Pas tre fitoreve radhazi ndalet Manchester United, që barazon 2-2 në fushën e Nottingham Forest pas një ndeshjeje me përmbysje dhe kundërpërmbysje (për vendasit shënoi ish-lojtari i Juventus, Savona). Crystal Palace mposht Brentford 2-0, ndërsa përfundojnë 3-0 si Fulham-Wolverhampton ashtu edhe Brighton-Leeds.
BURNLEY-ARSENAL 0-2
Gjithçka mjaft e lehtë për Arsenal, që fiton në transfertë 2-0 ndaj Burnley. “Topçinjtë” nisin menjëherë me kontrollin klasik të lojës, por për të zhbllokuar ndeshjen duhet të presin minutën e 14’: pas një goditjeje nga këndi, Viktor Gyokeres shfrytëzon devijimin e Gabriel dhe shënon nga afër. Vendasit nuk reagojnë, dhe në minutën e 35’ vjen dyfishimi i miqve: kundërsulm perfekt i nisur nga Gyokeres, me Trossard që shërben për golin 2-0 të Rice. Skuadra e Scott Parker është e dorëzuar në pushim dhe në pjesën e dytë nuk arrin të reagojë. Formacioni i drejtuar nga Arteta administron pa rrezik dhe merr tre pikët. Arsenal mbetet në krye me 25 pikë, ndërsa Burnley mbetet në kuotën e 10 pikëve.
NOTTINGHAM FOREST-MANCHESTER UNITED 2-2
Ndërpritet seria e fitoreve të Manchester United, që barazon 2-2 në fushën e Nottingham Forest. Miqtë përpiqen me ngadalë të vendosin ritmin e tyre, dhe pak pas gjysmë ore loje kalojnë në avantazh: asist i Bruno Fernandes për golin 1-0 të Casemiro në minutën e 34’. Në pushim “djajtë e kuq” janë në epërsi, por në fillim të pjesës së dytë gjithçka ndryshon: dy goditje të shpejta të vendasve në minutat 48’ dhe 50’, fillimisht me barazimin e Gibbs-White dhe më pas me përmbysjen nga ish-lojtari i Juventus, Savona (goli i tij i parë në Angli). Në gjysmën e fundit të lojës, djemtë e Amorim provojnë ta barazojnë me çdo mënyrë, dhe ia dalin në minutën e 81’ me Diallo. Me këtë barazim, Nottingham ngjitet në kuotën e 6 pikëve, duke mbetur ende në zonën e rënies, ndërsa Manchester United shkon në 17 pikë.
CRYSTAL PALACE-BRENTFORD 2-0
Tre pikë në shtëpi për Crystal Palace, që mposht Brentford 2-0. Që në pjesën e parë, skuadra e Glasner u bën të qartë kundërshtarëve ecurinë e lojës: në minutën e 30’ Mateta kalon të tijtë në avantazh pas një asisti të Lermës. Pjesa e parë mbyllet me vendasit në epërsi me një gol, por në fillim të 45 minutave të dytë vjen edhe dyfishimi: sërish Lerma protagonist, këtë herë me një goditje-kros që provokon autogolin e Collins. “Bletët” provojnë një reagim të lehtë në pjesën e dytë, por nuk mjafton. Crystal Palace fiton 2-0 dhe ngjitet në 16 pikë, tre më shumë se Brentford që mbetet me 13.
FULHAM-WOLVERHAMPTON 3-0
Fulham rikthehet te fitorja pas katër humbjeve radhazi, duke mposhtur Wolverhampton 3-0 në “Craven Cottage”. Sapo nis loja, bardhezinjtë e zhbllokojnë menjëherë ndeshjen, me Sessegnon që në minutën e 9’ shfrytëzon asistin e Jimenez për golin 1-0. “Ujqërit” nuk reagojnë, dhe në minutën e 36’ situata u përkeqësohet: faull si lojtar i fundit për Agbadou, i cili ndëshkohet me karton të kuq. Pas pushimit, “Cottagers” nisin të shfrytëzojnë epërsinë numerike: në minutën e 62’ Wilson dyfishon me një goditje nga jashtë zone. Skuadra e Vitor Pereira, për shkak edhe të lojtarit më pak, nuk arrin të kthehet në lojë, ndërsa vendasit vulosin rezultatin me një autogol të Mosquera në minutën e 75’. Fulham ngjitet në 11 pikë, ndërsa Wolverhampton mbetet i fundit në renditje me vetëm 2.
BRIGHTON-LEEDS UNITED 3-0
Fitore me rezultat të thellë për Brighton, që shkatërron Leeds 3-0 në fushën e vet. Avantazh i shpejtë për “pulëbardhat”, që në minutën e 11’ gjejnë golin 1-0 me Welbeck, pas një pasimi të Wieffer. Miqtë reagojnë dhe shtyjnë për barazimin, por në fund të pjesës së parë formacioni i drejtuar nga Hurzeler është në avantazh me një gol. Në pjesën e dytë shpërthen Diego Gomez: dygolësh brenda gjashtë minutash (64’ dhe 70’) për të vulosur ndeshjen, ndërsa Okafor dhe shokët e tij nuk arrijnë më të afrohen. Brighton ngjitet disa pozicione në renditje, duke arritur në 15 pikë. Leeds mbetet me 11 pikë, duke pësuar humbjen e pestë sezonale.