Në kërkesën që ka paraqitur në Këshillin e Mandateve për arrestimin e Berishës, SPAK i ka lënë të hapura të dyja opsionet e izolimit të Berishës, si arrest në burg ashtu edhe arrest shtëpie. Por pa e caktuar këtë. Kur është pyetur nga deputeti i Vulës, Enkelejd Alibeaj se cilën nga masat do të zbatojë për Sali Berishë, prokurori i çështjes, Arben Kraja e la të hapur mundësinë që të zbatohet secila prej tyre.
“Arresti në burg dhe arresti në shtëpi janë të ndryshme nga pikëpamja e rëndesës. Këto janë dy masat që mund të përdoren. Kërkuam leje për të dyja, pastaj në varësi të dosjes dhe në varësi tonën si prokurorë do të kërkojmë njërën prej tyre, sepse nuk mund t’i kërkojmë të dyja” tha Kraja.
Kur u pyet se përse e ka kërkuar rëndimin e masës për Berishën, Kraja u përgjigj: “Personi nën hetim Sali Berisha nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës për t’u paraqitur përpara oficerit të policisë gjyqësore në mënyrë të vazhdueshme, për këtë arsye jemi këtu”.
Sali Berisha thirri një protestë përballë kryesisë së kuvendit për të kundërshtuar arrestimin. Ai e ka akuzuar SPAK se është i kapur politikisht dhe e gjithë procedura është e dirigjuar nga kryeministri Rama.