Shorti i hedhur në Shtëpinë e Futbollit ka përcaktuar edhe rrugën drejt finales së Final 4 për katër skuadrat pjesëmarrëse. Goglat përcaktuan përballjet Egnatia – Partizani dhe Vllaznia – Dinamo City, dy sfida krejtësisht elektrizuese. E presidenti i FSHF-së, Armand Duka, pas përfundimit të ceremonisë së shortit të “Final 4”, ka folur për mediat, duke lajmëruar edhe arbitrin e finales, Szymon Marciniak.
Nuk është se Duka nuk i beson arbitrave shqiptar, aq më tepër që ndeshjet do të gjykohen nga ata me stemat e FIFA-s, por numri 1 i Federatës kërkon të shuajë polemikat për titullin dhe aludimet për favore: “Arbitër i huaj në finale? – Kjo është një gjë që diskutohet shumë, edhe gjykimi është faktor i rëndësishëm i garës. Jam i bindur që arbitrimi në Shqipëri është në nivele maksimale dhe mund t’i përgjigjet nivelit të futbollit shqiptar. Këtë e tregon edhe kontributi i arbitrave shqiptarë në kompeticionet europiane deri në fazat e grupeve”.
️ Presidenti Armand Duka foli për mediat pas përfundimit të ceremonisë së shortit të “Final 4” ⚽
Presidenti Duka zbuloi se finalja e madhe e 12 majit do të gjykohet nga një prej emrave më të njohur të arbitrimit ndërkombëtar, Szymon Marciniak. https://t.co/H7Liv25g3y
— FSHF (@FSHForg) April 29, 2025
Presidenti Duka sidoqoftë ka zbuluar se arbiri polak i mirënjohur në arenën ndërkombëtare, Marciniak, do të vendosë drejtësi në finalen e 12 majit. “Në Final Four do të gjykojnë katër gjyqtarët e FIFA-s që kemi. Të katërt do të jenë në dispozicion në gjysmëfinalet e para. Nëpërmjet shortit do të përcaktohen dhe ai që do të gjykojë ndeshjen e parë, nuk do jetë në gjysmëfinalen e dytë. Po nëpërmjet shortit. Sot duhen 7 gjyqtarë, të tjerët do jenë në pozicione të tjera. Në finale ne kemi ftuar një nga arbitrat më të mirë të globit, polakun Marciniak, i cili do të gjykojë ndeshjen finale për të pasur sa më pak aludime për fituesin”- tha Duka.