Ronald Araujo e ka gjetur sërish veten. Mbrojtësi i Barcelonës, pasi kaloi një periudhë krize të thellë për shkak të problemeve të lidhura me shëndetin mendor, ka rikthyer vendin e tij në fushë dhe në jetë. Më e keqja tashmë ka kaluar dhe uruguaiani, i cili mori një homazh shumë të bukur nga tifozët, shokët e skuadrës dhe kundërshtarët, ka treguar çfarë ka ndodhur. Periudha e pushimit e ndihmoi shumë, sepse falë profesionistëve, miqve dhe mbi të gjitha familjes, arriti të ndryshojë mënyrën si i shihte gjërat.
Araujo dhe kriza e bashkëshortes pas mesazhit të urrejtjes
Pikërisht bashkëshortja e tij i ka qëndruar shumë pranë dhe e ka ndihmuar jashtëzakonisht. Me të ka ndarë momentet e këqija dhe tani, fatmirësisht, edhe ato të bukurat. Në një intervistë për Mundo Deportivo, Araujo rrëfeu një episod që e preku thellë:
“Më lejo të të tregoj diçka për të ilustruar përmasën e asaj që ndodhi. Një ditë po pija mate me gruan time. Pashë që shprehja e saj ndryshoi teksa po shikonte telefonin dhe sytë iu mbushën me lot. E pyeta çfarë po shikonte, çfarë kishte ndodhur. ‘Nuk e kuptoj ligësinë e njerëzve; po u urojnë vdekjen vajzave tona’, më tha.”
Pasojat traumatike
Kjo situatë ndikoi rëndë në gjendjen mendore të kombëtares uruguaiane, i goditur nga kritikat e ulëta të disa tifozëve: “Kur gjërat arrijnë në atë nivel, fillon të rimendosh shumë gjëra, sheh sa e çmendur është shoqëria, apo sa të çmendur janë njerëzit në rrjetet sociale. Mund të mos të godasë drejtpërdrejt, por familja jote vuan, nëna jote dhe gruaja jote vuajnë, edhe vëllezërit e tu. Do të duhet të mësohen, sigurisht, sepse fatkeqësisht jetojmë në botën e sotme, por është e vështirë kur kjo prek familjen.”
E gjithë kjo e lodhi thellë Araujon, i cili u rrëzua emocionalisht edhe pas paraqitjeve jo të mira. Ankthi u shndërrua në diçka më serioze: “U përballa me ankth për një vit e gjysmë dhe kjo u kthye në depresion, dhe unë luaja në atë gjendje. Kjo nuk të ndihmon, sepse në fushë nuk ndihesh vërtet vetvetja. E njeh vlerën dhe kontributin tënd në fushë, dhe kur nuk ndihesha mirë, e dija që diçka nuk shkonte. Atë ditë (pas ndeshjes famëkeqe me Chelsean, shën. red.) e kuptova se kishte mbaruar, se duhej të flisja me profesionistë dhe me klubin që të më ndihmonin.”
Rikthimi me stil
Araujo, i cili u rikthye në fushë duke shënuar edhe gol, gjeti pikërisht te bashkëshortja një ndihmë të madhe për të rikthyer dritën: “Ishte thelbësore. Gruaja ime ishte shumë e guximshme sepse kemi dy vajza shumë të vogla, dhe pati guximin të qëndronte me to dhe të më jepte forcën që më duhej. Edhe prindërit dhe vëllezërit e mi vuajtën shumë. E telefonova babanë për t’i shpjeguar vendimin që kisha marrë, dhe ai nuk e kuptoi mirë; është njeri i fshatit, ndaj është më e vështirë të kuptohen ndjenjat. Iu desh pak kohë ta kuptonte, por e vlerësova shumë sepse në një moment më tha: ‘Çfarëdo që të bësh, të mbështes’”.
“Ishte shumë e ëmbël, shumë e rëndësishme, dhe unë tashmë e kisha marrë vendimin. Edhe familja e gruas sime, vjehrra, kunetërit dhe disa kushërinj të mi ishin thelbësorë në këtë proces, sepse jam i rrethuar nga njerëz që i dua, dhe gjëja e rëndësishme është që nëse ata janë me ty, grupi yt i referencës është aty, dhe më në fund mund ta mbyllësh atë kapitull”.