Në Gjykatën e Apelit të Tiranës zhvillohet nesër një seancë gjyqësore që do të përcaktojë fatin e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend, Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Në sallë përballen dy aksionerë të shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport”, Behgjet Pacolli përmes MABCO me 98% të aksioneve dhe Valon Ademi përmes 2A Group me 2%.
Vendimi i së enjtes është shumë i rëndësishëm për zhbllokimin e punimeve dhe përfundimin e aeroportit brenda pak muajsh por përtej konfliktit mes ortakësh, çështja ka marrë përmasa që prekin drejtpërdrejt sigurinë juridike të investimeve strategjike dhe zhvillimin ekonomik të Jugut.
Historia e bllokimit me gjykata

Palët janë përballur edhe më herët në sallën e gjyqit në një proces të mëparshëm. Që në prill të vitit të kaluar, nisi në Gjykatën e Shkallës së Parë procesi nën gjykimin e Fatmir Ndreut për pretendimet e Valon Ademit që kërkonte 47% të aksioneve.
Ishte gjyqtari Fatmir Ndreu që vendosi bllokimin e aksionerit me 98% të aksioneve në muajin tetor, por MABCO e gjeti të drejtën në Gjykatën e Apelit, e cila në datën 22 Dhjetor 2025 riktheu të drejtën e votës dhe rrjedhimisht rifillimin e punimeve.
Megjithatë, vetëm një ditë pas vendimit të Apelit, në datën 23 dhjetor 2025 kompania 2A Group iu drejtua sërish Gjykatës së Shkallës së Parë dhe arriti që nëpërmjet gjyqtares Mariana Shegani të rikthejë sërish pezullimin, duke ngrirë 98% të aksioneve të MABCO-s në aeroportin e Vlorës.
Sipas përfaqësuesve të MABCO-s, vendimi i paprecedent u mor pa thirrur në sallë avokatët e palës dhe rrëzoi efektin e vendimit të mëparshëm të Apelit, duke vendosur një precedent te rrezikshëm për sigurinë juridike të investimeve strategjike.
Pikërisht ky vendim i Mariana Sheganit është objekt i shqyrtimit nesër në Apel. MABCO kërkon rikthimin e plotë të të drejtave të saj si aksioner shumice dhe vijimin e menjëhershëm të punimeve në aeroport.
98% dhe një pronë e konfiskuar de facto

Më herët, në një deklaratë publike, avokatët e MABCO e kanë denoncuar situatën e bllokimit si një përmbysje të parimeve bazë të ligjit tregtar që ka çuar në konfiskimin e pronës de facto.
“Nëse Gjykata e Apelit nuk e shqyrton çështjen në kohë, sikurse radhën e parë, MABCO rezulton e shpronësuar. Ka 98% të kuotave dhe është e shpronësuar de facto me vendim gjykate” ka deklaruar avokati i kompanisë Ervin Metalla gjatë një konference për mediat.
Ky argument përbën thelbin e ankimit. Sipas avokatëve mbrojtës një aksioner me 98% të kuotave, që ka investuar dhjetëra miliona euro, nuk mund të zhvishet nga çdo e drejtë që buron nga pronësia për shkak të një mase sigurimi padie.
Në dhjetor, Gjykata e Apelit ndërhyri për të korrigjuar një situatë të ngjashme. Mbetet për t’u parë nëse i njëjti standard do të zbatohet sërish.
Drejtori juridik i Mabetex në Zvicër, Korab Troplica, ka deklaruar se situata në aeroport ka kaluar përtej vendimit formal të gjykatës dhe është shoqëruar me veprime që ai i konsideron abuzive:
“Mirë që gjykata ka vendosur pezullimin e të drejtës së votës, por ka edhe një zhvillim interesant që unë besoj, ortaku me pakicë, me 2% e ka përvetësuar totalisht shoqërinë VIA tani dhe mirë që nuk na le të votojmë, sipas vendimit të gjykatës, por as na informon kur ka mbledhje asambleje, që unë jam i detyruar të informohem, të vij të marr pjesë.” është shprehur ai.
Sipas kësaj linje argumentimi, masa e sigurimit është shndërruar në një përjashtim faktik të aksionerit kryesor nga administrimi i shoqërisë. Gjithsesi sipas kompanisë MABCO, për shkak të këtij konfiskimi de facto të pronës, nëse çështja shkon në arbitrazh është pothuajse e humbur për shtetin shqiptar, që rrezikon të paguajë të paktën fitimin e munguar nga aeroporti, që shkon rreth 750 milion euro.
Vendimi i Apelit nesër ka peshë që shkon përtej raportit 98% me 2% mes aksionerëve. Aeroporti konsiderohet një projekt kyç për zhvillimin e turizmit në Vlorë dhe në të gjithë Jugun e vendit. Çdo muaj vonesë përkthehet në kosto financiare, kontrata të pezulluara, punonjës të papaguar dhe rrezik për përmbushjen e afateve kontraktore.
Në këtë kuadër, seanca e së enjtes do të tregojë nëse një projekt me rëndësi kombëtare do të vijojë rrugën drejt përfundimit, apo do të mbetet peng i një përplasjeje gjyqësore mes ortakësh me peshë thellësisht të pabarabartë në kapital, eksperiencë dhe kapacitete në projekte të ngjashme.