Nuk ka ndryshuar masa e arrestit me burg pa afat për kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erjon Veliaj. Pas gjykatësit Erjon Bani edhe Engert Pëllumbi konfirmoi se masa e arrestit me burg ishte e drejtë. Në njoftimin e gjykatës thuhet se është lehtësuar masa e arrestit për biznesmenin Elman Abule që është lënë në arrest shtëpie. Pak minuta para se Engert Pëllumbi të linte në burg Veliajn, një tjetër trupë gjykuese la në fuqi bllokimin e llogarive bankare të Ajola Xoxës.
Seancat gjyqësore që u zhvilluan në Apelin e GJKKO-së zgjatën disa ditë. Erion Veliaj ka kundërshtuar provat e reja të paraqitura nga SPAK, që ka përgjuar bisedat e tij me të vëllain, i cili ka marrë udhëzime se si duhet të sulmohet prokurorët dhe gjykatësit nga mediat e kontrolluara nga Veliaj.
Sipas burimeve, Veliaj është shprehur se përgjimet e bisedave të tij familjare, të cilat janë përdorur si prova, lidhen me intervistat e tij në media dhe interesimin për intervista në kanale televizive të rëndësishme.
Ai gjithashtu ka kritikuar faktin që SPAK nuk ka marrë parasysh sulmet publike të Sali Berishës ndaj drejtësisë së re si prova të reja, duke u fokusuar vetëm në telefonatat dhe mesazhet e tij personale me familjen.
“Më izoluat 1 muaj në burg që të gjenit ‘prova të reja’. Saliu e ofendoi SPAK dhe e akuzoi si organizatë kriminale, çfarë e gjeti? Pse nuk u konsideruan prova të reja sulmet e Berishës ndaj SPAK?”, ka thënë Veliaj.
Po ashtu, Veliaj ka deklaruar në gjyq se është akoma kryetar bashkie i Tiranës, i votuar nga çerek milion njerëz. “Unë i qëndroj çdo postimi të bërë në rrjetet sociale”, ka thënë ai.
Por duket se gjykatësi Engert Pëllumbi i ka dhënë të drejtë pretendimeve të prokurorëve se Erjon Velaij përbën një kërcënim për prishjen e provave dhe ka marrë parasysh mesazhet intimiduese për agjentët e BKH, përpjekjet për manipulimin e dëshmitarëve dhe së fundmi, fushatën denigruese të mediave për prokurorët dhe gjykatësit e çështjes së tij.
KOMUNIKIMI I GJYKATES PËR MEDIAN
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 13.03.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 13 akti, datë 04.03.2025 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim E.V., E.A., M.P., Sh.F., G.S., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 7, datë 09.02.02025 dhe vendimit nr. 14, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
1. Miratimin e vendimit Nr. 7 Akti, datë 09.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i verifikuar me vendimin Nr. 14, datë 12.02.2025, të kësaj gjykate, me këtë ndryshim:
– Zëvendësimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arresti në burg”, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, e vendosur për personin në hetim E.A., me masën e sigurimit “Arresti në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i këtij Kodi;
– Urdhërohet personi nën hetim E.A. që të mos largohet nga banesa e tij, e cila ndodhet në “***”, si dhe që të mos kontaktojë me persona të tjerë, përveç atyre me të cilët bashkëjeton;
– Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim E.A. nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahet i izoluar për ndonjë shkak tjetër.
2. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.