“Mendoj se vendimi i gjyqtarëve të Romës është paragjykues, siç dëshmohet edhe nga fakti se ky vendim është parashikuar që dje nga disa përfaqësues të Partisë Demokratike”. Kështu kryeministrja italiane Giorgia Meloni u shpreh për vendimin e gjyqtarëve në Romë që nuk konfirmuan ndalimin në Shqipëri të 12 emigrantëve të cilët duhet të kthehen së shpejti në Itali.
“Sipas gjykatësve – u shpreh kryeministrja italiane – çështja nuk është Shqipëria. Çështja është shumë më e gjerë, sepse në thelb ajo që thonë gjyqtarët është se nuk ka vende të sigurta. Është shumë e vështirë të punosh dhe të përpiqesh t’i japësh përgjigje këtij kombi kur ke edhe kundërshtime nga disa prej institucioneve që duhet të të ndihmojnë për t’u dhënë përgjigje problemeve.
Kështu që unë ju komunikoj zyrtarisht se problemi nuk ekziston në Shqipëri. Problemi është se askush nuk mund të riatdhesohet më. Problemi është se nuk mund t’i refuzosh më refugjatët. Problemi është se nuk mund të bësh asnjë politikë mbrojtjeje të kufijve të tu dhe për këtë arsye shpresoj se të më thonë edhe se si zgjidhet problemi.
Shpresoj se do të gjenden zgjidhje, dhe për mua, sepse unë jam ajo që më pas duhet t’i gjej zgjidhjet dhe në fakt do të gjej zgjidhje edhe për këtë problem” – tha Meloni që bëri të ditur se do të mbledhë qeverinë të hënën.
“Do të humbim akoma kohë, por tashmë kam thirrur Këshillin e Ministrave të hënën për të zgjidhur këtë problem, sepse kam ndërmend të eci përpara. Italianët më kanë kërkuar të ndaloj imigracionin ilegal dhe do të bëj çmos për të kufizuar emigracionin masiv të paligjshëm.
Më vjen keq që në një kohë kur e gjithë Evropa po shikon me interes diçka që po bën Italia, ne mundohemi si gjithmonë ta pengojmë në mënyrën tonë, por është një çështje që do të zgjidhet së shpejti” – tha Meloni.
Sa u përket vendimeve që do të marrë qeveria italiane për të zgjidhur ngërçin, Meloni tha se do të ketë një rrugëdalje.
“Kam mbledhur Këshillin e Ministrave të hënën për të miratuar rregullat që do të shërbejnë për të kapërcyer këtë pengesë, sepse nuk besoj se është përgjegjësi e gjyqësorit të përcaktojë se cilat shtete janë “të sigurta” dhe cilat jo. Kjo është një përgjegjësi e qeverisë dhe për këtë arsye qeveria duhet të sqarojë më mirë se çfarë do të thotë një “vend i sigurt” – tha Meloni.