Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, duke konfirmuar masën e sigurimit pasuror për sekuestrimin e pasurisë së Valbona Xoxës, nënës së Ajola Xoxës.
Valbona Xoxa u paraqit në SPAK më 19 shkur, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj dhëndrit të saj Erion Veliaj dhe vajzës së saj, Ajola Xoxa. Ajo u pyet si person në dijeni për momentet në të cilat përmendet emri i saj në dosjen e SPAK.
Njoftimi i Apelit të GJKKO-së:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 10.03.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 12, datë 27.02.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses V.X., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 84, datë 10.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur me caktimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive, mbi pasurinë e paluajtshme”, dhe vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 84, datë 10.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij. Ndërkohë, mëngjesin e sotëm bashkëshortja e kryebashkiakut Erion Veliaj është paraqitur në GJKKO, pasi ka seancë për sekuestron e telefonit dhe kontrollet e kryera në bizneset e saj.