Gjykata Administrative e Apelit do të vendosë nesër lidhur me padinë e depozituar nga PD e Alibeajt. Kjo padi lidhet me kundërshtimin e regjistrimit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” nga KQZ. Më herët Alibeajt ka thënë se koalicioni ka përdorur logon e PD.
Në padi thuhet se marrëveshjes i mungon edhe një element tjetër i rëndësishëm. Me këtë, Alibeaj i referohet përcaktimit të numrit të kandidatëve nga secila parti politike.
NJOFTIM PËR MEDIA
Pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, për llogari të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, është paraqitur për shqyrtim çështja Nr. 7 Akti, Datë 27.03.2023 Regjistrimi, me:
PADITËS: Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Indrit Sefa;
I PADITUR: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
OBJEKTI: Shfuqizimi i vendimit nr.31, datë 21.03.2023 të KAS “Për mospranimin për shqyrtim të kërkesës ankimore nr. 37, datë 21.03.2023 të depozituar nga “Partia Demokratike e Shqipërisë”.
Shfuqizimi i vendimit nr. 178, datë 18.03.2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për shqyrtimin e kërkesës për regjistrimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, (BF) për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023”.
Plotësimin e të metave nga ana e kërkuesit Partia e Lirisë duke ndryshuar Marrëveshjen e Koalicionit duke hequr Partinë Demokratike e Shqipërisë nga referimi në këtë dokument.
Për dijeni, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, me Vendimin nr.178, datë 18.03.2023, objekt i padisë së mësipërme, ka vendosur:
“1. Regjistrimin e Koalicionit “Bashkë Fitojmë” (PL – PDK – PBDNJ) “BF”, si subjekt zgjedhor pjesëmarrës në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023 me parti pjesëtare të tij si më poshtë: a)”Partia e Lirisë” (PL); b) “Partia Demokristiane e Shqipërisë” (PDK); Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ);
2. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen elektronike zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve;
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve brenda 3 (tre) ditëve nga shpallja e tij”.
Më datë 28.03.2023 u hodh shorti publik për përcaktimin e përbërjes së Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor dhe, sipas tij, trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarët:
1. Sokol Ibi (Relator);
2. Manjola Xhaxho (Anëtare);
3. Edlira Petri (Anëtare);
4. Esmeralda Xhili (Anëtare);
5. Alma Kolgjoka (Anëtare).
Me Vendim datë 28.03.2023 “Për caktimin e seancës gjyqësore dhe lënien afat për plotësimin e të metave të kërkesëpadisë” të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor është caktuar data 30.03.2023, ora 15:30, për zhvillimin e seancës gjyqësore në ambientet e godinës “Poli i Drejtësisë”, salla e konferencave të KLGJ-së, në adresën: Rruga “Ana Komnena”, Tiranë.
Tiranë, më 28.03.2023
Gjykata Administrative e Apelit Tiranë