Dy ndeshje krejtësisht të ndryshme, në harkun vetëm të tre ditëve. Për Kuqezinjtë e Sylvinhos nuk ka kohë për të qarë humbjen me Anglinë në debutim, për më tepër jo e paparashikuar, sepse me kthimin në Tiranë kundërshtar vjen Andorra, e menduar si skuadra pedanë nga të gjithë përvecse nga Koldo Alvarez dhe njerëzit e tij.
Në Wembley treguam pak apo aspak në aspektin ofensiv, por krijuam bindjen se dimë të mbrohemi dhe mirë, kundër një skuadre që mbërrin finalet në dy turnetë e fundit madhorë europianë. Bellingham, Kane e Foden do tja kishin bërë jetën të ëvshtirë kujtdo, por me një Gjimshiti në nivele brilante, kanë treguar karakter edhe Aliji apo Ajeti. Për sulmin nuk është se u krijuan shumë mundësi, e megjithatë ato 30 minutat e Brojës janë optimiste, për impulse e talentit shqiptar që fati e ka mbajtur larg fushave, për keqardhjen e Sylvinhos të parit.
Tani, shumë gjëra duhet të ndryshojnë, ndoshta duke filluar nga formacioni, me ndonjë të rikthyer e ndonjë të dëmtuar, por mbi të gjithë në mentalitet. Kjo është puna më e vështirë për teknikun brazilian, që është thirrur në cështje të bëjë kundër Andorrës, atë që bëri Anglia kundër nesh. Andorranët e shitën me vështrësi lëkurën kundër Letonisë e do të mbyllen edhe më shumë në Arena Kombëtare.
Precedentët
Precedentët natyrisht janë në favor të kuqzinjve, por mes tyre janë dy që duhet të shqetësojnë jo pak. Fitorja e parë historike e tyre është pikërisht 2-0 në vitin 2002 kundër Shqipërisë së drejtuar në atë kohë nga Sulejman Demollari. Pas asaj ndeshje, Demollari u shkarkua menjëherë. Ndërsa, në vitin 2019, Andorra erdhi në Tiranë, duke marrë befasisht një barazim 2-2, kur në pankinë ishte Edy Reja. Rrugëtimi i vërtetë i Shqipërisë fillon ekzaktësisht të hënën kundër Andorras, Anglia është e një tjetër lige për të gjithë, prandaj gabimet mund të llogariten duke nisur nga kjo ndeshje. E këtë gjë Sylvinho e di mirë.
Kombëtarja është gati për ndeshjen e dytë në Grupin K ndaj Andorrës, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Kuqezinjtë mbyllën pasditen e djeshme përgatitjet në stadiumin “Arena Kombëtare”. Të gjithë lojtarët u stërvitën normalisht dhe do të jenë në dispozicion të trajnerit Silvinjo për ndeshjen ndaj Andorrës. Takimi Shqipëri – Andorra do të luhet sot në “Arenën Kombëtare”, në Tiranë, në orën 20:45.