Analiza/ “The Guardian”: Rënia spektakolare e Sarkozy, pikë kthese për Francën

Kur një gjykatë e Parisit i dha Nicolas Sarkozy një dënim me 5 vjet burg për konspiracion kriminal mbi një skemë për të marrë fonde për fushatën zgjedhore nga regjimi i diktatorit të ndjerë libian Muammar Gaddafi, ishte një moment historik për Francën moderne.

Sarkozy i krahut të djathtë, i cili shërbeu si president midis viteve 2007 dhe 2012, ishte i njohur në detyrë jo vetëm për qëndrimin e tij të ashpër ndaj imigracionit dhe identitetit kombëtar, por edhe për mbështetjen e dënimeve më të ashpra për delinkuentët. Ai tani pritet të hyjë në burg brenda pak muajsh.

Është një rënie spektakolare dhe një pikë kthese në luftën e gjatë të Francës për t’u përballur me akuzat për korrupsion apo kriminale ndaj politikanëve.

Dënimi i Sarkozy-t është hera e parë në historinë moderne franceze që një ish-president është urdhëruar të paraqitet në portat e burgut dhe të vuajë dënimin brenda tij. Hetimet penale dhe gjyqet e politikanëve francezë në detyrë dhe ish-politikanëve nuk janë të reja.

Besimi i votuesve në integritetin e zyrtarëve të zgjedhur ka qenë në rënie të vazhdueshme, por gjyqtarët në gjyqin e Sarkozy duket se donin të dërgonin një mesazh se politikanët nuk do ta kenë të lehtë.

Teksa Sarkozy, 70 vjeç, ishte ulur në gjykatë i shoqëruar nga gruaja e tij, këngëtarja Carla Bruni dhe 3 djemtë e tij të rritur, gjyqtarët e habitën sallën duke urdhëruar një dispozitë të veçantë, mjaft të rreptë që do të thotë se Sarkozy duhet të burgoset në një datë të ardhshme jo më vonë se 13 shkurti. Ai është thirrur në një takim të parë me prokurorin e shtetit më 13 tetor për të caktuar një datë.

Kryetarja e gjykatës, Nathalie Gavarino, e justifikoi dënimin duke thënë se faktet e çështjes ishin të një “rëndësie të jashtëzakonshme” dhe “ka të ngjarë të minojnë besimin e qytetarëve”.

Sarkozy u shpall fajtor për konspiracion kriminal mbi përpjekjet e ndihmësve të ngushtë për të siguruar fonde nga Libia për kandidaturën e tij presidenciale të vitit 2007 gjatë kohës së Gadafit në pushtet. Gadafi u rrëzua dhe u vra në vitin 2011.

Sarkozy gjithmonë ka mohuar akuzat në këtë çështje. Edhe pse ai do të apelojë kundër dënimit të tij nga gjykata, dispozita e veçantë do të thotë se dënimi i tij me burg do të mbetet në fuqi teksa procesi i apelimit vazhdon. Sarkozy, duke këmbëngulur në pafajësinë e tij, tha me hidhërim jashtë gjykatës se ndoshta “do të duhej të paraqitej me pranga në Apel”.

Në vitin 2011, politikani i krahut të djathtë Jacques Chirac, atëherë 79 vjeç, u bë ish-presidenti i parë që u dënua për korrupsion, pas akuzave për përvetësim, në një skandal financimi të partisë që lidhej me kohën e tij si kryetar bashkie i Parisit. Në një rast historik, atij iu dha një dënim me 2 vjet burg me kusht.

Ai nuk mori pjesë në gjyqin e tij pasi mjekët deklaruan se ai vuante nga humbje të rënda të kujtesës. Por Chirac, “një mashtrues i vetëshpallur” dhe që kishte një nga karrierat më të gjata politike në Evropë, ruajti një nivel të lartë popullariteti pavarësisht dënimit deri në vdekjen e tij në moshën 86 vjeç.

Për Sarkozy, gjërat janë shumë të ndryshme. Trashëgimia e tij politike tani duket pothuajse e pamundur për t’u rindërtuar. “Në imagjinatën popullore, konspiracioni kriminal sugjeron vërtet sjellje mafioze”, – thotë Bruno Cautrès, një analist politik. “Është i lidhur me krim të organizuar serioz.”

LEXO EDHE: BBC: Sarkozy përballet me burgim historik dhe goditje poshtëruese

Kur Sarkozy u tha gazetarëve jashtë gjykatës se ishte i pafajshëm, ai vuri në pikëpyetje sistemin e drejtësisë dhe sundimin e ligjit, duke e shtuar retorikën e tij për të sugjeruar se dënimi i tij ishte faji i “atyre që e urrejnë”, duke lënë të kuptohet një lloj konspiracioni “të shtetit të thellë”.

Kjo vjen teksa sistemi francez i drejtësisë është përpjekur gjatë vitit të kaluar të tregojë se do të jetë i prerë jo vetëm ndaj presidentëve të mëparshëm, por edhe ndaj atyre me ambicie presidenciale të ardhshme.

Pas një gjyqi 9-javor, udhëheqësja franceze e ekstremit të djathtë Marine Le Pen u shpall fajtore në mars për përvetësimin e fondeve parlamentare evropiane përmes një mashtrimi punësimesh të rreme në një shkallë dhe kohëzgjatje të paparë. Ajo u ndalua të kandidonte për poste publike për 5 vjet me efekt të menjëhershëm, gjë që mund ta pengojë të shpallte për herë të katërt kandidaturën për presidencën franceze në vitin 2027.

Fakti që dënimi i saj u dha me efekt të menjëhershëm ishte një tronditje për Le Pen, e cila protestoi kundër tij, duke akuzuar një “tirani gjyqtarësh” për marrjen e një “vendimi politik” kundër saj. Gjyqi i saj i apelit fillon në janar.

Kur Sarkozy u dënua të enjten, Le Pen gjithashtu nxitoi të kritikonte gjyqtarët për dhënien e një dënimi që duhet të hynte në fuqi menjëherë dhe nuk do të pezullohej gjatë një procesi apelimi.

Sarkozy tashmë ka një histori të konsiderueshme me sistemin francez të drejtësisë. Megjithëse akuzat për një pakt të fshehtë financimi të fushatës me regjimin libian ishin gjyqi më i madh për korrupsion me të cilin ai ishte përballur, ai ishte dënuar tashmë edhe në dy raste të ndara dhe ishte zhveshur nga çmimi më i lartë i Francës, “Legjioni i Nderit”.

Në rastin e parë, Sarkozy u dënua për korrupsion dhe ushtrim ndikimi mbi përpjekjet e paligjshme për të siguruar favore nga një gjyqtar. Ai u dënua me 1 vit burg, të cilin e vuajti këtë vit me një byzylyk elektronik për 3 muaj pa shkuar në burg, përpara se të lirohej me jepej kusht. Lirim i plotë – i pari për një ish-kryetar shteti.

Në një rast të dytë, Sarkozy u dënua për fshehje të shpenzimeve të paligjshme në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, të cilat i humbi ndaj kandidatit socialist, François Hollande. Ai ka apeluar kundër të dy dënimeve.

Pavarësisht këtyre dënimeve, Sarkozy ka ruajtur deri më tani ndikimin si figurë kyçe në politikën franceze. Ende mblidhen për ta takuar dhe konsultuar atë. Kohët e fundit ai u takua me kryeministrin e ri Sébastien Lecornu, i cili ende nuk ka formuar një qeveri të re. Gjatë verës ai u takua me udhëheqësin e ekstremit të djathtë Jordan Bardella, president i partisë së Le Pen, “Tubimi Kombëtar”.

Sapo të hyjë në burg, Sarkozy, si çdo i burgosur tjetër, do të jetë në gjendje të paraqesë një kërkesë për lirim ose një dënim me byzylyk elektronik. Ai do të donte të ruante ndikimin dhe reputacionin e tij politik gjatë apelit. Por asgjë nuk është më e sigurt. ©The Guardian, Përshtati në shqip LAPSI.al

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top