Analiza e VOA-s: Në ç’kushte mund të ndodhte zëvendësimi i presidentit Biden si kandidat

Paraqitja e presidentit Joe Biden në debatin e së enjtes, e përshkruar si jo e njëtrajtshme, me pauza dhe e shkëputur, i ka lënë të shqetësuar edhe mbështetësit të tij më të fortë dhe ka ngritur çështjen e zëvendësimit të tij si kandidat për president i Partisë Demokrate.

Megjithëse disa ligjvënës demokratë janë bashkuar në mbështetje të presidentit, duke thënë se një paraqitje e dobët nuk nënkupton fundin e kandidimit, është sidoqoftë teknikisht e mundshme që presidenti të zëvendësohet si kandidat i demokratëve. Por, do të duhej të ndodhnin disa gjëra për të mundësuar një tranzicion pa probleme.

Edhe në ato rrethana, gjetja e një kandidati të ri do të ishte për partinë një proces i vështirë, në rastin më të mirë.

Së pari, presidenti Biden duhet të tërhiqet me vullnetin e tij. Ai nuk ka treguar shenja për këtë.

Më herët këtë vit, çdo shtet amerikan mbajti zgjedhjet paraprake. Sipas rregullave të Partisë Demokrate, në sistemin e tanishëm për votimin paraprak, delegatët që ka fituar presidenti Biden kanë detyrimin të votojnë për të.

Nëse presidenti Biden do të zgjidhte që të tërhiqej, delegatët do të ishin atëherë të lirë të votonin për kë të dëshironin gjatë Konventës Kombëtare Demokrate, të planifikuar të mbahet në 19 gusht në Çikago, e cila do të shndërrohej kështu në një konventë të hapur.

Në këtë pikë procesi do të vështirësohej. Përpara se të vendosej sistemi i zgjedhjeve paraprake, konventat ishin të hapura dhe delegatët vinin të merrnin pjesë përgjithësisht të paangazhuar ndaj një kandidati të caktuar. Ata takoheshin me delegacione të kandidatëve të ndryshëm dhe negocionin për të arritur marrëveshje me ta.

Me një konventë të tillë do të përballeshin demokratët në gusht, me disa kandidatë që do të kërkonin mbështetjen e delegatëve dhe me disa raunde votimesh për të zgjedhur kandidatin. Kjo do të sillte ndoshta një konventë të zgjatur, që do të vazhdonte për më shumë ditë.

Kjo gjithashtu do t’i vendoste demokratët nën trysninë e afateve për të siguruar regjistrimin e kandidatit të tyre të ri në zgjedhjet në të 50 shtetet amerikane.

Komitetit Kombëtar Demokrat iu desh të organizonte një takim virtual për të regjistruar përpara konventës praninë e delegatëve që do të propozonin zotin Biden. Kjo për shkak se një ligj në shtetin Ohajo kërkon që kandidati i emëruar të jetë përzgjedhur përpara datës 7 gusht, pra dy javë përpara konventës së demokratëve, në mënyrë që të kualifikohet për të figuruar në fletëvotimet në këtë shtet.

Një propozim për të shtyrë afatin në Ohajo, me qëllim lehtësimin e procedurës për demokratët, u refuzua nga legjislatura e këtij shteti me shumicë republikane./VOA

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top