Forcat Ajrore të SHBA-së u vendosën në Lakenheath në Britani në vitin 1948. Baza ajrore Ramstein u krijua në Gjermani në fillim të viteve 1950. Sot ka më shumë se dyzet baza ushtarake amerikane në Europë, që strehojnë rreth 85,000 trupa.
Por asgjë nuk zgjat përgjithmonë. Dhe, për herë të parë në një gjeneratë, është e imagjinueshme që prania ushtarake amerikane në Europë mund të marrë fund.
Shkaku i menjëhershëm irritues është lufta me Iranin. Hezitimi europian, dhe herë pas here refuzimi, për ta lënë SHBA-në të përdorë bazat e saj europiane për misione në Iran e ka tërbuar Donald Trump, i cili i ka sulmuar europianët si “frikacakë” dhe e ka quajtur NATO-n një “tigër letre”. Marco Rubio, sekretari amerikan i shtetit, ka pyetur me nënkuptim pse Amerika lodhet duke mbajtur baza në Europë, nëse nuk mund t’i përdorë ato kur vjen momenti kritik.
Administrata Trump besohet se po shqyrton një listë ndëshkimesh për aleatët europianë që do të jepen pasi lufta me Iranin të ketë mbaruar. Idetë e hedhura përfshijnë nxjerrjen e Spanjës nga NATO dhe tërheqjen e njohjes së sovranitetit britanik mbi Ishujt Falkland.
Megjithatë, ajo që administrata Trump mund të mos e kuptojë plotësisht është se zemërimi rrjedh në të dy drejtimet. Politikanët europianë po ankohen me hidhërim, ndonjëherë edhe publikisht, se SHBA nisi një luftë të pamenduar dhe të paligjshme pa u konsultuar me aleatët e saj të NATO-s. Besimi europian te udhëheqja amerikane është gjithashtu në nivelin më të ulët historik, gjë e kuptueshme kur komandanti i përgjithshëm i Amerikës poston imazhe të vetes si Jezusi dhe kërcënon të zhdukë një qytetërim të tërë.
Lufta me Iranin ka ardhur gjithashtu pas një viti në të cilin SHBA ka vendosur tarifa ndaj aleatëve europianë dhe ka kërcënuar të pushtojë Groenlandën, duke hapur mundësinë marramendëse që ushtarët europianë mund të përfundojnë duke luftuar kundër amerikanëve. Një sondazh i Politico i zhvilluar më herët këtë muaj tregoi se në Spanjë, Itali, Francë dhe Gjermani më shumë njerëz tani e shohin SHBA-në si kërcënim sesa si “aleat të afërt”. Pedro Sánchez i Spanjës e ka ringjallur fatin e tij politik me dënimin e tij të bujshëm të politikës së jashtme amerikane. Edhe liderët e aleatëve të palëkundur amerikanë, si Polonia dhe Gjermania, po e vënë hapur në pikëpyetje udhëheqjen e Uashingtonit.
Që nga Lufta e Dytë Botërore, prania amerikane në Europë ka qenë një “perandori me ftesë”. Por disa europianë po tundohen gjithnjë e më shumë ta tërheqin ftesën.
Pra, kush do të humbiste më shumë, SHBA apo Europa, nëse prania ushtarake amerikane në Europë do të zvogëlohej?
Për amerikanët, kjo do të varej shumë nga fakti nëse SHBA ende dëshiron të projektojë fuqi në Europë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Pavarësisht qëndrimeve politike teatrale në të dyja anët e Atlantikut, realiteti është se SHBA i ka përdorur shumë bazat e saj europiane gjatë luftës aktuale. Piloti i avionit ushtarak amerikan që u rrëzua mbi Iran dhe u shpëtua me gjasë ishte nisur nga Lakenheath, në Britani.
Nëse SHBA do të mund të ishte e sigurt se nuk do të kishte më kurrë nevojë për ato baza europiane, sigurisht që mund t’i mbyllte ato. Por, duke pasur parasysh shpeshtësinë e ndërhyrjeve ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme (si edhe në Ballkan), në dekadat e fundit, duket e nxituar të supozohet se lufta aktuale me Iranin do të jetë përfshirja e fundit e këtij lloji. Blerjet europiane të armatimeve amerikane dhe mallrave të tjera lidhen gjithashtu në mënyrë të nënkuptuar me një garanci të vazhdueshme sigurie amerikane për Europën. Ndërsa dyshimet për atë angazhim po rriten, lëvizja për të “blerë (paisje ushtarake) europiane” po merr vrull.
T’i thoje amerikanëve “mirupafshim” do të përfshinte gjithashtu rreziqe të mëdha për Europën. Rusia është ende duke zhvilluar luftë në Ukrainë. Dhe Donald Tusk, kryeministri i Polonisë, ka paralajmëruar se Rusia mund të sulmojë territor të NATO-s brenda muajsh. Paralajmërime të ngjashme, të formuluara në vite, kanë ardhur nga liderë politikë në Berlin dhe Londër. Siç vuri në dukje Tusk, ka dyshime në rritje nëse një SHBA e udhëhequr nga Trump do ta respektonte klauzolën e mbrojtjes së ndërsjellë të NATO-s.
Mark Rutte, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, ka paralajmëruar se Europa aktualisht nuk mund të mbrohet kundër Rusisë pa ndihmën amerikane. Ai është bërë fytyra publike e përpjekjeve europiane për ta mbajtur Trump të kënaqur me çdo kusht.
Disa liderë europianë janë më optimistë se Rutte për aftësinë e kontinentit për t’u mbrojtur vetë. Ata vënë në dukje se performanca ushtarake e Rusisë në Ukrainë ka qenë më pak se mbresëlënëse. Edhe kështu, pranohet gjerësisht se Europa aktualisht mbështetet te Amerika për të siguruar kapacitete ushtarake që do të ishin kritike në çdo konflikt. Këto përfshijnë mbrojtjen ajrore, burimet e inteligjencës dhe avionët e transportit të rëndë që do të nevojiteshin për të lëvizur trupat shpejt në vijën e frontit. Plotësimi i këtyre boshllëqeve mund të marrë shumë vite. Edhe struktura komanduese e NATO-s është ndërtuar rreth udhëheqjes amerikane.
Për të gjitha këto arsye, shumica e liderëve europianë mbeten jashtëzakonisht të kujdesshëm për të vënë në jetë ëndrrat e tyre për t’ia përplasur në fytyrë arrogancën amerikanëve, dhe për t’i thënë presidentit amerikan të shporret. Në të njëjtën kohë, është domethënëse që fantazitë për hakmarrje kundër Europës, që aktualisht po qarkullojnë në administratën Trump, nuk përfshijnë në fakt mbylljen masive të bazave amerikane në Europë. Të dyja anët e Atlantikut duket se e kuptojnë se, për momentin, janë të lidhura në një martesë të palumtur.
Si për SHBA-në ashtu edhe për Europën, një divorc formal ende duket si një hap tepër i madh. Por të dyja palët po thonë dhe po bëjnë gjëra që nuk mund të harrohen apo të tërhiqen lehtë. Në një aleancë, si në një martesë, kjo është një gjendje e rrezikshme.
Financial Times, përgatiti në shqip ©LAPSI.AL