Në të njëjtën ditë kur drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, u vendos nën masën e “arrestit në shtëpi” dhe kur u kryen kontrolle në shtëpinë e ish-kreut të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ambasada amerikane në Tiranë publikoi një mesazh për bashkëpunimin shqiptaro-amerikan në luftën kundër krimit të organizuar.
Postimi i Ambasadës lidhej me Sesionin e 42-të të Trajnimit të Vazhdueshëm të Kapitullit Europian të FBI National Academy Associates (FBINAA), që po zhvillohet në Tiranë nga 19 deri më 23 shtator. Që në ditën e parë të aktivitetit ra në sy mungesa e Vlora Hysenit, ndërkohë që aty ishin të ftuar drejtori i policise, Skënder Hita, prokurori i përgjithshëm Olsi Çela, drejtuesi i SPAK, Klodian Braho etj.
“Kur Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria qëndrojnë së bashku, komunitetet tona janë më të sigurta”, nis mesazhi i ambasadës amerikane, duke duke vazhduar se FBINAA bashkon drejtues të lartë të strukturave ligjzbatuese, të trajnuar në Akademinë Kombëtare të FBI-së, për shkëmbimin e ekspertizës dhe forcimin e bashkëpunimit kundër krimit të organizuar.
Këtë të martë, SPAK njoftoi dy akuzat për drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, ndërsa GJKKO caktoi “arrest në shtëpi” dhe pezullim nga detyra. Sipas të dhënave të publikuara për hetimin, ajo dyshohet për “Përkrahjen e autorit të krimit” dhe “Zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete”, në një fraksion të hetimit të dosjes së AKSHI-t.
Në të njëjtën ditë, hetuesit ushtruan kontrolle edhe në shtëpinë e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, për gjetjen e provave që mund t’i shërbejnë të njëjtit hetim.
Pasi përshëndet konferencën që u zhvilluar në Tiranë, ambasada amerikane e përfundon mesazhin me fjalët:
“Qëllimi ynë është i qartë: zbatim më i fortë i ligjit, siguri më e madhe dhe komunitete më të sigurta në Shtetet e Bashkuara dhe në Shqipëri”.