Ndërsa nuk ka prekur ende kokat e projektit të inceneratorëve, SPAK vazhdon me kokën e turkut, Alqi Bllakon për të cilin kërkon një dënim tjetër me 5 vite burg dhe 5 vite jashtë funksioneve publike, për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.
Bllako, një peshk i vogël në skemën gjigande të vjedhjes së dhjetra miliona eurove nga incenerati i Tiranës, ka përfituar vetëm 119 mijë euro nëpërmjet babait të tij, të cilit i kishte lidhur edhe një rrogë.
Në arsyetimin e SPAK thuhet po ashtu se Bllako ka ndihmuar për të bërë gati studimin e fizibilitetit dhe ka mbajtur lidhje me shtetasin Klodian Zoto.
Vladimir Bezhani, është punësuar si këshilltar i jashtëm i Lefter Kokës nga Alqi Bllako. Ai ka ndihmuar pronarët de facto të kompanisë për ndërtimin e inceneratorit që në fazën fillestare deri sa është bërë propozimi i pakërkuar. Ky propozim është përgatitur nga Bezhani. Po ashtu ka pasur edhe një sërë dokumentacionesh të tjera në shërbim të kompanisë që fitoi koncesionin për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.