Milan është në mes të përgatitjes atletike gjatë grumbullimit të organizuar nga kuqezinjtë me teknikun Massimiliano Allegri në pankinë. Punë, vrap dhe djersë për të mbushur menjëherë “benzine” në këmbë në prag të këtij sezoni të ri me ish-trajnerin e Juventus në krye, i gatshëm ta rikthejë Djallin në pozicionet e klasifikimit që i takojnë. Allegri ka nisur nga Maignan, Chukwueze dhe Leao, me këtë të fundit të mbajtur “nën presion” që nga seanca e parë e stërvitjes, për të bërë që e gjithë lëvizja taktike e skuadrës të rrotullohet rreth portugezit.
Pikërisht gjatë një prej seancave të sotme të punës, Leao ka vendosur të publikojë në llogarinë e tij në Instagram, përmes “story”, një video të shkurtër ku shfaqet ai dhe Chukwueze të ulur në stolat e dhomave të zhveshjes së Milan, të shkatërruar pas lodhjes nga stërvitjet. Leao bën një buzëqeshje të hidhur, thuajse nga zori. Portugezi psherëtin, me nigerianin në krah që po ashtu nuk arrin të nxjerrë asnjë fjalë, veç ndonjë zë të vogël lodhjeje që e bën të qartë intensitetin e punës atletike të sapo kryer.
️ Rafael Leao and Chukwueze after the training session pic.twitter.com/xe8KIEBMul
— Milan Posts (@MilanPosts) July 15, 2025
Sfilitje e fare pak lëshime…
Është ndryshimi i fortë i dëshiruar nga Allegri, i cili po insiston shumë tek gjendja fizike e skuadrës së tij, duke i bërë lojtarët të punojnë intensivisht. Edhe sot, në fakt, për Milan ka qenë një tjetër seancë e dyfishtë në ditën e tretë të punës, në këtë javë të dytë grumbullimi. Një punë e fortë, e lodhshme, që megjithatë sonte do të ketë një “thyerje të vogël të rregullit” nga grupi.
Për mbrëmjen, në fakt, Allegri ka lejuar një “lëshim” të vogël në lidhje me ushqimin e shëndetshëm dhe të kontrolluar të vendosur në fillim të grumbullimit dhe të respektuar gjatë këtyre dhjetë ditëve të para. Allegri ka autorizuar, në fakt, tortë, ëmbëlsira dhe një gotë për të festuar 26-vjetorin e lindjes së Pobega, si dëshmi e klimës mjaft të qetë brenda grupit.
Ndeshjet e para miqësore verore të Milan
Videoja e portugezit Leao dhe nigerianit Chukwueze lë të kuptohet qartë se aktualisht puna e teknikut Allegri është intensifikuar për t’i dhënë këtij Milani tashmë një gjendje fizike të pranueshme në prag të ndeshjeve të para zyrtare të kuqezinjve. Të shtunën do të luhet ndeshja e parë miqësore, ndoshta kundër Milan Futuro, me dyer të mbyllura dhe më pas skuadra do të nisë udhëtimin drejt Singaporit për turin veror që do të vazhdojë mes Australisë dhe Hong Kongut, me kthimin në Itali të parashikuar për 1 gusht. Këtu, Milan do të përballet me skuadra si Arsenal dhe Liverpool.