Alexander-Arnold te Real Madrid për 1.5 milionë euro më shumë: ja shifrat e detajet

Trent Alexander-Arnold do të jetë një lojtar i ri i Real Madrid. Mbrojtësi i djathtë anglez, i cili është në përfundim të kontratës me Liverpool, tashmë ka një marrëveshje me “Los Blancos” dhe në qershor do të transferohet në Spanjë për t’u bërë pronari i ri i krahut të djathtë te Merengues.

Pas një karriere të gjatë me Reds, me gati 300 ndeshje zyrtare me ekipin e parë pasi kaloi të gjitha fazat në akademinë e klubit, 26-vjeçari do të bëjë gati valixhet për të nisur një kapitull të ri në karrierën e tij nën urdhrat e Florentino Pérez. Prej muajsh ka pasur spekulime rreth këtij transferimi, por me afrimin e fundit të kontratës së tij, tashmë gjithçka duket e mbyllur dhe nuk ka asnjë mundësi për një rinovim apo për ndonjë destinacion tjetër.

Alexander-Arnold te Real Madrid: shifrat dhe të gjitha detajet
Alexander-Arnold do të firmosë një kontratë pesëvjeçare me Real Madrid, me një pagë prej rreth 7.5 milionë euro neto në sezon. Te Liverpool, mbrojtësi anglez fitonte 6 milionë euro në vit, kështu që me këtë lëvizje ai do të përmirësojë ndjeshëm statusin e tij financiar.

Një rol vendimtar në këtë transferim ka luajtur Jude Bellingham, një mik i ngushtë i Alexander-Arnold. Këtë informacion e ka raportuar TalkSport. Gjatë kohës së tij te Liverpool, Alexander-Arnold ka fituar një Premier League (gati dy), një Champions League, një Superkupë Evropiane, një Kupë të Botës për Klube, dy Kupa të Ligës, një FA Cup dhe një Community Shield.

Strategjia e Real Madrid për lojtarët me parametër zero
Real Madrid prej disa vitesh ka ndjekur një strategji të qartë në merkato, duke synuar lojtarë të lirë dhe duke siguruar afrime të rëndësishme si David Alaba, Antonio Rüdiger dhe Kylian Mbappé. Emri më i fundit në këtë listë do të jetë Alexander-Arnold, i cili do ta pasurojë më tej skuadrën e “Los Blancos”.

Ndërkohë, Real Madrid nuk i ka rezultuar i suksesshëm tentativa për të sjellë në “Santiago Bernabéu” edhe Alphonso Davies, i cili ka rinovuar kontratën me Bayern Munichun deri në vitin 2030. Për mbrojtësin e majtë kanadez, klubi bavarez do të investojë rreth 15 milionë euro në sezon, pa përfshirë bonuset dhe shpërblimin e firmës.

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top