Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për median britanike SkyNews, shprehet i bindur se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë nuk ka ndodhur pa dijeninë e presidentit serb. Kurti ka thënë se duke e njohur qëllimin e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, është mirë që vendi të përgatitet për tentativa të tilla si në Banjskë.
Sa i përket lidhjes së presidentit serb Aleksandër Vuçiç me Milan Radoiçiçin, i cili mori përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur, Kurti e ka krahasuar me atë të presidentit rus me ish-shefin e Wagnerit, Yevgeny Prigozhin.
“Milan Radoiçiç, Prigozhini i vogël, sepse Putini i vogël në Beograd, Vuçiqi, ka Prigozhinin e tij të vogël në malet që e rrethojnë Kosovën të quajtur Milan Radoiçiç. Ai e pranoi se ai e organizoi këtë sulm terrorist”, ka thënë ai në intervistën në SkyNews.
Kreu i qeverisë së Kosovës më tej tha se ajo çfarë kërkon Kosova është që Radoiçiç të sillet në Kosovë për t’i bërë gjyqin, dhe thotë se për një gjë të tillë Kosova kërkon edhe përkrahjen e aleatëve.
“Kjo është çfarë kërkojmë, dhe kjo është në atë çfarë partnerët duhet të na ndihmojnë të arrijmë. Presioni ndërkombëtar bëri që Serbia ta arrestojë. Ai duhet të ekstradohet në Kosovë”, ka thënë Kurti.