Të paktën 13 persona kanë humbur jetën dhe 98 të tjerë janë plagosur pas daljes nga shinat të Trenit Interoqeanik në rajonin e Isthmusit të Tehuantepec, në shtetin meksikan të Oaxacës. Bilanci i viktimave është përkeqësuar ndjeshëm në orët e fundit.
Lajmi u bë i ditur nga guvernatori i Oaxacës, Salomón Jara Cruz, përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social X. “Jemi thellësisht të trishtuar nga aksidenti hekurudhor që ndodhi pranë Nizandës, në komunën e Asunción Ixtaltepec, ku udhëtonin rreth 250 persona,” shkroi ai.
Sipas autoriteteve shtetërore, 139 persona janë jashtë rrezikut për jetën, 98 janë plagosur, ndërsa 36 prej tyre po marrin trajtim mjekësor. Qeveria e Shtetit të Oaxacës ka shprehur ngushëllimet më të thella për familjet e viktimave dhe ka garantuar mbështetje të plotë për të prekurit nga ky aksident tragjik.
Treni Interoqeanik lidh Gjirin e Meksikës me Oqeanin Paqësor dhe konsiderohet një infrastrukturë strategjike për transportin e pasagjerëve dhe mallrave në jug të vendit. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.