Një aksident tragjik ka ndodhur ditën e sotme në Gjermani, ku si pasojë 3 shqiptarë kanë humbur jetën dhe 4 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se aksidenti sipas autoriteteve gjermane, ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Sipas asaj që njoftojnë mediat gjermane nga burime policore mësohet se viktimat janë një burrë 53-vjeçar dhe dy gra, të moshës 47 dhe 65 vjeç. Përveç 4 shqiptarëve të plagosur janë edhe 2 gjermanë të lënduar, të gjithë nga mosha 20 deri në 66 vjeç.
Disa prej tyre janë rëndë, por jo në rrezik për jetën. Ata po marrin mjekim në spital. Sipas policisë, aksidenti ndodhi rreth orës 3 të mëngjesit në zonën Bassenheim në distriktin Mayen-Koblenz në drejtim të Trier.
Një minibus që transportonte 9 persona doli nga rruga për arsye të panjohura dhe u përmbys disa herë. Asnjë automjet tjetër nuk u përfshi në aksident. Një automjet pas aksidentit u dëmtua gjatë kalimit mbi copat e makinës dhe u desh të largohej me tërheqje.
Sipas hetimeve aktuale, viktimat kishin qenë më parë në një festë familjare në Hesse. Policia theksoi se nuk ka prova që shoferi 22-vjeçar të kishte qenë nën ndikimin e alkoolit ose drogës. Autostrada ku ndodhi aksidenti u mbyll plotësisht deri në orën 7:45 të mëngjesit. Hetimet për zbardhjen e rrethanave vijojnë.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe uron shërim të plotë për të plagosurit.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është informuar nga autoritetet gjermane për një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 25 maj, pranë qytetit Koblenz, ku janë përfshirë disa shtetas shqiptarë.
Me keqardhje njoftojmë se si pasojë e këtij aksidenti kanë humbur jetën tre shtetas shqiptarë, ndërsa katër të tjerë janë plagosur dhe po marrin trajtim në spitalet lokale.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Berlin dhe Konsullata e Përgjithshme në Mynih kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane dhe kanë ndjekur nga afër zhvillimet. Hetimet për rrethanat e aksidentit janë ende në vijim.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe uron shërim të plotë për të plagosurit.
Strukturat tona konsullore kanë ofruar mbështetjen e nevojshme për qytetarët e prekur dhe kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë ditës për të ndihmuar në menaxhimin e situatës. Për çdo informacion shtesë, lutemi të kontaktoni në: +49 1523 79 13 997″ – thuhet në njoftimin e ministrisë së jashtme.