Kryetari i Partisë Mundësia, deputeti Agron Shehaj, akuzoi sot nga foltorja e Parlamentit mazhorancën dhe qeverinë se po mbronte në çdo lloj forme dhe fuqie politike zv/kryeministren e akuzuar për korrupsion, Belinda Balluku, që të mos i hiqet imuniteti dhe të mos dalë para drejtësisë për abuzimet e saj.
Teksa zbuloi edhe strategjinë e mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama për të shpëtuar Ballukun, ligjvënësi shpjegoi se do veprohet njëlloj sikurse me taktikën që u ndoq me deputeten Olta Xhaçka, që shpëtoi me afate pas lojës me Venecian prej mazhorancës.
Shehaj preku edhe çështjen e Kadastrës së Vlorës, për të cilën tha se i janë shkarkuar dhe larguar 16 drejtorë dhe më i fundit ditën e sotme, teksa pronat e shqiptarëve vidhen prej 35 vitesh. Por ai paralajmëroi se tani të korruptuarve po u vjen fundi nga drejtësia e re, pasi e vjetra ishte në krahun e tyre.
“Lajmi i ditës duhet të ishte vendimi i Kushtetueses në lidhje me kërkesën e Ramës për ndalimin e vendimit të Gjykatës për pezullimin e Ballukut, zëvendëses së tij që u kap duke vjedhur dhe abuzuar me paratë e shqiptarëve. Lajmi ishte largimi i drejtorit të radhës, të 16-it të Kadastrës së Vlorës. Sepse fatkeqësia më e madhe e këtij populli është prona, i keni nxirë jetën, rrjepur e telendisur. Jeni pasuruar duke u vjedhur pronat, i keni varfëruar, padrejtësia më e madhe që i është bërë popullit shqiptar në 35 vite dhe vazhdoni dhe i bëni, e drejta e pronës. Dhe arsyeja ka qenë sepse nuk ka pasur drejtësi, sepse ka qenë në krahun tuaj, ka bashkëpunuar me ju”, tha deputeti.
Shehaj nënvizoi se Gjykata Kushtetuese nëpërmjet zvarritjes së çështjes së Ballukut, ka mbetur shpresa e fundit e qeverisë dhe socialistëve.
“Kushtetuesja ka mbetur shpresa e fundit për ju, për të korruptuarit që t’i shpëtojnë drejtësisë, shpresa e fundit për Ballukun që ka kërkesë për arrest, ka 3 muaj që është nën hetim, ka kërkesë arresti dhe ju e keni marrë në mbrojtje, një të akuzuar për korrupsion. Keni një plan ju, i njëjtë me Xhaçkën, ju kujtohet, i njëjti plan si me atë, ku doli se edhe pronën e kishte vjedhur po në bashkëpunim me këta drejtorë të Kadastrës”, tha ai.
Në këto momente i ndërhyri deputeti Erion Braçe nga vendi, duke i shpjeguar se kishte një vendim Gjykate në favor të koleges socialiste dhe Shehaj duhet ta përmendtte.
Por deputeti opozitar vijoi duke thënë se prona në Himarë rezultoi e grabitur dhe vjedhur dhe për të ishte dënuar edhe ish-kryebashkiaku.
“Mjaft i mbrojte të korruptuarit. Ta shpjegoj, mos u hidh përpjetë, me qetësi. Braçe thotë se nuk është e vërtetë, ka vendim gjykate mbi investimin strategjik të Xhaçkës, shumë mirë që e përmende. Por është e çuditshme se mbi atë pronë u hapën hetime dhe gjykata vendosi se ajo pronë është rrëmbyer dhe është dënuar kryetari i Bashkisë Himarë, pra prona ku Xhaçka është investitorë strategjike është rrëmbyer, ëhstë vjedhur. O Taulant, më fal se thashë o Taulant, Braçe, se Taulanti e përmend shpesh në fakt, “Jam Taulanti, më duhen 100 mijë euro”.
Dhe teksa theksoi tezën e tij se Balluku do shpëtohej me të njëjtin ‘plan djallëzor’ si Xhaçka, Shehaj e mbylli fjalën duke thënë:
“Pra pa u shpërqendruar, është i njëjti plan hajdut dhe banal si me Xhaçkën. Pra, thanë prit të bëjmë lojën e Venecias, të fitojmë kohë, të mbarojnë afatet dhe Xhaçka. E njëjta gjë edhe me Ballukun, ky është plani juaj djallëzor me Ballukun, doni ta shpëtoni me afate. Por vendimi juaj, për fatin e të korruptuarve nuk është marrë këtu, është marrë jashtë Shqipërisë. Është koha juaj, e të korruptuarve, që kanë vjedhur shqiptarët”.
Dhe teksa kreu i grupit të PS, Balla, ndërhyri nga vendi, Shehaj i tha se po i vinte radha edhe atij.
“Koha juaj, mos ia bëj me kokë Taulant, se po të vjen radha edhe ty”, përfundoi deputeti opozitar.
Në replikën e tij, Balla i kujtoi nga foltorja Shehajt vjedhjen e të dhënave të anëtarëve të PD-së vite më parë.