Agron Shehaj fiton në Apelin e GJKKO-së gjyqin me Adriatik Lapajn

Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar vendimin e Shkallës së Parë për sa i përket akuzës për fyerje ndaj kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, në çështjen e ngritur nga kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj.

Me vendimin e marrë më 1 tetor, Gjykata e Posaçme e Apelit e ka shpallur Shehajn të pafajshëm edhe për veprën penale të fyerjes, duke ndryshuar në këtë pjesë vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë. Njëkohësisht, Apeli ka lënë në fuqi pafajësinë e Shehajt për veprën penale të shpifjes.

Çështja kishte nisur pas kërkesës së paraqitur nga Adriatik Lapaj më 1 prill 2025, me të cilën Shehaj akuzohej për veprat penale të “Fyerjes” dhe “Shpifjes”, lidhur me deklaratat publike të bëra prej tij.

Më 21 janar 2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e kishte shpallur Shehajn të pafajshëm për shpifje, duke vlerësuar se fakti i pretenduar nuk përbënte vepër penale. Ndërsa për fyerjen, gjykata e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me 300 mijë lekë gjobë.

Procesi lidhej me deklaratat e Shehajt për marrëdhëniet profesionale të Lapajt me kompaninë “Merkaj 3 sh.p.k.”. Shehaj kishte deklaruar publikisht se Lapaj kishte përfituar para nga kjo kompani, e cila ishte sekuestruar nga SPAK nën dyshimin se përdorej për pastrimin e parave të lidhura me grupin kriminal të njohur si “Çopjat”.

Lapaj i kishte mohuar këto pretendime, duke deklaruar se nuk kishte marrë pagesat e pretenduara dhe se shumat e përmendura përfaqësonin detyrime për shërbime ligjore të kryera prej tij në cilësinë e avokatit.

Me vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit të datës 1 tetor, është rrëzuar edhe dënimi prej 300 mijë lekësh për fyerje, ndërsa është lënë në fuqi vendimi i pafajësisë për shpifje.

Në përfundim të gjykimit në Apel, Agron Shehaj është shpallur i pafajshëm për të dyja veprat penale për të cilat ishte akuzuar nga Adriatik Lapaj.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top