Aktori Agron Llakaj humbi pak ditë më parë bashkëshorten e tij Kostandinën. Sot përmes rrjetit social, Instagram, Llakaj ka postuar një video falenderimi për të gjitha mesazhet e dërguara në adresë të tij dhe familjes.
“Të dashur miq në pamundësi për t’iu kthyer përgjigje të gjitha mesazheve të drejtuara drejt meje dhe familjes time në rastin e humbjes së jetës të një njeriu shumë të shtrenjtë, Kostandinës tonë dhe Kostandinës time unë po iu drejtohem me këtë video-mesazh duke shprehur falenderimin dhe mirënjohjen e thellë për çdo fjalë zemre drejtuar drejt nesh nga ju sepse dihet mirë që edhe gëzimet edhe hidhërimet ndahen me njerëz, me miq, me të njohur dhe të panjohur.
Moria e njerëzve në përcjelljen e lamtumirës së Kostandinës, por edhe në ditët e pritjes qëë familja jonë organizoi, gjithë kjo dashuri e madhe njerëzore në një mënyrë na bëri që për momentin ta kalonim disi më lehtë. Mali i dhimbjes që Kostandina la mbrapa nuk ka fjalë që mund ta shprehë sepse pesha është shumë e madhe dhe pikërisht për shkak të kësaj dhimbje ne po pranojmë vuajtjen. E pranojmë. Kam lexuar dhe stërlexuar shumë nga mesazhet tuaja për të ruajtur kujtimin e saj, por ne nuk do të ruajmë kujtimin e Kostandinës sepse ajo është në çdo frymarrje tonën, timen, të fëmijëve, të mbesës, të nipërve të mi dhe të gjithë njerëzve të dashur.
Por, jetën nuk e zgjedhim, e tillë është. Në dy vite Kostandina tregoi se jo thjesht ishte trau dhe shtylla e shtëpisë, por ishte dhe njeriu me karakterin më të fortë. Në dy vite në këtë tragjedi njerëzore, dhimbjeje në këtë betejë me një sëmundje të pamëshirshme, ishte ajo me karakterin e saj, vullnetin e saj, më dha mundësinë që unë të ushtroja profesionin tim. Të bësh humor me thikë në zemër është e vështirë, motiv ishte Kostandina.
Dhe pas gjithë kësaj beteje ne e pranuam humbjen, sëmundja doli më e fortë. Ajo ç’ka Kostandina la mbrapa unë shpresoj që fëmijët e mi ta trashëgojnë dashurinë e madhe njerëzore, respektin njerëzor mbi gjithçka. Dua të them shumë, por i prekur dhe i emocionuar nga e gjithë pjesëmarrja e njerëzve dua të shpreh falenderimin e madh, mirënjohje dhe njëkohësisht t’ iu them duajeni njëri-tjetrin, respektoni njëri-tjetrin sepse pasuria më e madhe që Zoti mund t’i japë gjithkujt është shëndeti, para shëndetit, jetës dhe njerëzve të dashur të familjes çdo gjë tjetër është shumë e vogël. Paçi ditë të gëzuara me shëndet dhe zemrat plot. Rrespekte nga unë personalisht, fëmijët e mi, nipërit dhe mbesat time. Faleminderit me zemër!”, dëgjohet të thotë aktori.