Për të 59-ën ditë me radhë, qytetarët do të mblidhen për të vijuar protestën kundër qeverisë. Ashtu si çdo mbrëmje, tubimi do të nisë në sheshin “Skënderbej” dhe më pas do të zhvendoset para Kryeministrisë, ku qytetarët dhe organizatorët do të mbajnë fjalimet e tyre. Protesta shoqërohet me thirrjet “Rama, jep dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Ju erdhi fundi”.
Prej gati dy muajsh, protestuesit dalin çdo mbrëmje në shesh dhe këmbëngulin se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Ata akuzojnë qeverinë për korrupsion, keqqeverisje dhe mungesë transparence, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe ndryshime kushtetuese.