Aflatoksina në qumësht/ Eksperti Zusi: Këtë herë industria veproi para institucioneve

Në vijim të diskutimeve që hapi ndalimi për prodhim, i qumështit që rezultoi nga analizat laboratorike me aflatoksinë, në disa ferma në Lushnjë, një tjetër ekspert i sigurisë ushqimore, ka sqaruar risqet që do të shkaktonte për shëndetin shpërndarja në treg e këtij qumështi, duke vlerësuar kështu vendimin e parandalimit.

I ftuar në emisioni “Aldo Morning Show”, Arben Zusi, i cili më herët ka mbajtur edhe postin e ish zëvendës ministrit të Bujqësisë, shpjegoi se në dallim nga episodet e mëparshme ku shkeljet janë zbuluar kryesisht nga autoritetet, këtë herë ishte industria e përpunimit të qumështit, kompania Lufra, që ngriti barrierën e domosdoshme e jetike, duke bllokuar lëndën e parë të dyshuar për kontaminim, një veprim ky konform ligjit.

“Nëse do ta nxirrte atë produkt në treg, kompania do të shkelte ligjin, do të kthehej në tabelë qitjeje e do të rrezikonte falimentimin. Kujtojmë rastin kur në 2012-ën një kompani falimentoi pikërisht pse nuk e mori këtë masë. Qytetarët duhet të jenë mirënjohës për këtë vendim. Në gjithë botën kanë qenë industritë ato që kanë vendosur standardin.” – thekson ai.

Duke ju referuar ligjit “Për Ushqimin” të vitit 2008, të ndryshuar ku citohet se kur ushqimi konsiderohet i pasigurt, kur është i dëmshm për shëndetin e njeriut, kur përmban mikroorganizma e parazitë mbi vlerën normale, të përcaktuar nga standartet e miratuara dhe, si i tillë, nuk lejohet të nxirret në treg apo të përdoret për përpunim, Zusi thekson se vendimi i Lufrës ishte jo vetëm moralisht, por edhe ligjërisht i justifikuar.

Me tej Zusi e zhvendosi thelbin e diskutimit tek zinxhiri i protokolleve, tek roli i institucioneve. Sipas tij, nëse industria ka bërë detyrën duke bllokuar qumështin e kontaminuar, atëherë dëmi ekonomik i fermerëve duhet kompensuar 100% nga shteti.

“Përgjegjësia për ta zgjidhur këtë problem është te institucionet. Fermerët nuk janë të qëllimshëm në veprimtarinë e tyre, ata aq dinë aq bëjnë, institucionet që e kanë për detyrë këtë punë duhet të gjejnë zgjidhje. Fermerët nuk kanë shkollë, as nuk janë veterinerë e as kuptojnë nga procese teknike, ndaj duhet të asistohen. Janë me dhjetra miliona euro që shkojnë për mbështetjen e këshillimit. Ka një shërbim në Ministrinë e Bujqësisë që quhet “Shërbimi i Këshillimit”; “Shërbimi veterinar”; “Shërbimi i AKU-së” që ka këtë detyrë. Nëse qumështi me aflatoksinë është ndaluar nga industria të cilës i jemi falenderues që na kanë mbrojtur, dëmi ekonomik që u është bërë atyre fermerëve do duhet kompensuar 100% nga institucionet publike të cilat kanë lejuar që ky produkt, kjo lëndë e parë e kontaminuar të futet në vend. Peshën e kësaj situate nuk duhet ta mbajnë fermerët.” – argumenton ai.

Aflatoksina nuk është vetëm fenomen shqiptar. Sipas Zusit, raste të tilla raportohen rregullisht në Gjermani, Itali, Francë dhe SHBA.

“Në vitet ’80 kjo ka qenë shumë problematike në Europë, por industria reagoi dhe sistemi u përmirësua. Nuk bëhet fjalë për eliminim total të riskut, por për kapje të menjëhershme. Janë me dhjetëra e me qindra raste edhe në Europë dhe në Amerikë, ka raportime çdo muaj të rasteve të aflatoksinës. Ajo që është e rëndësishme në këto vende, është se kapet menjëherë dhe fermeri ka kontakt të drejtpërdrejtë me institucionet.” shprehet ai.

Rasti i Lushnjës, sipas tij nxjerr në pah tre nevoja urgjente:kontrolle më të forta mbi importin e ushqimit për kafshët; mbështetje reale për fermerët përmes këshillimit dhe monitorimit teknik si dhe një mekanizëm kompensimi kur fermerët dëmtohen.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top