Anëtari i Kryesisë së Rithemelimit, Belind Këlliçi ka reaguar edhe njëherë tjetër në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës.
Këlliçi përmes një deklarate pohoi se Veliaj pranoi autorësinë e grabitjes së 231 milionë eurove me inceneratorin e Tiranës dhe i bëri thirrje qytetarëve që të enjten datë 11 prill në orën 11:00 të mblidhen para bashkisë për të kërkuar largimin e kryebashkiakut dhe vendosjen e tij para drejtësisë.
DEKLARATA E KËLLIÇIT:
Të nderuar qytetarë,
Dy ditë më parë, kreu i organizatës kriminale 5D dhe pronari faktik i inceneratorit të Tiranës, Erion Veliaj, më në fund pranoi autorësinë e grabitjes së 132 milionë eurove në aferën korruptive të shekullit, inceneratorin fantazmë të Tiranës.
Me dy firmat e tij, të hedhura në mars 2017 dhe mars 2018, Erion Veliaj miratoi dhe garantoi pagesat për këtë kontratë koncesionare 30-vjeçare.
Erion Veliaj sot na hiqet si viktimë e organizatës së tij kriminale me drejtorët hajdutë, por në fakt ai është drejtuesi i saj. Ishte Erion Veliaj ai që mori kompetencat e Këshillit Bashkiak dhe Këshillit të Qarkut Tiranë, duke zhdukur në llogari offshore plot 132 milionë euro nga taksat e qytetarëve të Tiranës.
Le ta kujtojmë dhe njëherë bashkë se si në shtator të vitit 2017, Veliaj rrihte gjoksin dhe merrte plotësisht autorësinë dhe meritat për këtë aferë korruptive.
Të dashur qytetarë,
Ditën për diell, Erion Veliaj mashtroi anëtarët e Këshillit Bashkiak Tiranë, duke u thënë se kontrata koncesionare për inceneratorin nuk kishte asnjë implikim financiar, dhe anashkaloi me vetëdije të plotë, vendimmarrjen e Këshillit Bashkiak Tiranë, siç e parashikon Ligji “Për vetëqeverisjen vendore”.



