Reperi A$AP Rocky ka ndezur sërish thashethemet për martesën e tij me Rihanna-n, pasi në një intervistë të re me Perfect Magazine e quajti veten bashkëshorti i saj.
“Të jem baba, partner dhe bashkëshort i dashur në familjen time është ajo që më bën me të vërtetë të lumtur,” – tha Rocky, duke shtuar se ndjehet i plotësuar si artist dhe si burrë familjar.
Çifti, i cili ndan tashmë dy djem – RZA (3 vjeç) dhe Riot Rose (2 vjeç), mirëpriti një vajzë në shtator të këtij viti, duke u bërë prindër për herë të tretë.
Ky nuk është hera e parë që artisti i njohur nxit aludimet se mund të jetë martuar me këngëtaren e hitit “Umbrella”.
Vetëm muajin e kaluar, në një intervistë për Elle, ai u pyet nëse është bashkëshorti i Rihanna-s dhe u përgjigj me një buzëqeshje:
“Nga e di që s’jam tashmë?” – tha ai me humor, por më pas shtoi: “Ende s’do ta konfirmoj.”
Në qershor të vitit 2023, gjatë një koncerti, reperi iu drejtua turmës me fjalët:
“Dua t’ia dedikoj këtë këngë bashkëshortes sime të bukur që ndodhet në ndërtesë!” – duke shkaktuar reagime të shumta në rrjete sociale.
Nga ana tjetër, Rihanna ka treguar se e adhuron mënyrën si Rocky lidhet me fëmijët e tyre. Në një intervistë për Harper’s Bazaar, ajo u shpreh me humor:
“Më nervozon pak sepse djemtë jetojnë për të më shumë sesa për mua! U them: ‘E dini kush ju ka lindur?’ Por kur i shoh sa shumë e duan, zemra më shkrihet.”
Çifti konfirmoi lidhjen e tyre për herë të parë në vitin 2021, kur A$AP Rocky e quajti “atë të duhurën” në një intervistë.